1 Korintasve 10:12-24 Së Bashku (ALNT)

12. Kush mendon se qëndron i sigurt, kujdes se mos rrëzohet!

13. Sprovat që kishit deri tani kanë qenë brenda mundësive njerëzore. Perëndia është besnik dhe nuk do të lejojë të viheni në provë përtej mundësive tuaja, por bashkë me sprovat do t’ju japë edhe rrugëdaljen, që të mund t’i përballoni.

14. Prandaj, fort të dashurit e mi, largohuni nga idhujtaria!

15. Po flas me ju si me njerëz të arsyeshëm: gjykojini vetë këto që po them.

16. Kur pijmë nga kupa për të cilën bekojmë Perëndinë, a nuk marrim pjesë në gjakun e Krishtit? Kur hamë nga buka që thyejmë, a nuk marrim pjesë në trupin e Krishtit?

17. Ashtu si buka është një e vetme, ashtu edhe ne, edhe pse jemi shumë, bëhemi një trup i vetëm, sepse marrim pjesë në të vetmen bukë.

18. Shikoni popullin e Izraelit! A nuk marrin pjesë në altar ata që hanë flijimet që kushtohen mbi të?

19. A dua të them me këtë se mishi që u flijohet idhujve ka ndonjë vlerë, apo që idhujt janë ndonjë gjë?

20. Jo, por dua të them se ato ua flijojnë djajve e jo Perëndisë dhe unë nuk dua që të keni pjesë me djajtë.

21. Nuk mund të pini edhe nga kupa e Zotit edhe nga kupa e djajve; nuk mund të hani edhe nga tryeza e Zotit edhe nga tryeza e djajve.

22. Mos duam të nxisim xhelozinë e Zotit? Vallë, mos jemi më të fortë se ai?

23. Disa thonë: «Gjithçka më lejohet». Po, por jo gjithçka është e dobishme. Gjithçka më lejohet, por jo gjithçka ndihmon për t’u rritur në besim.

24. Askush të mos kërkojë të mirën e vet, por të mirën e tjetrit.

1 Korintasve 10