8. Ai që nuk ka dashuri, nuk e ka njohur Perëndinë, sepse Perëndia është dashuri.
9. Ja si është shfaqur dashuria e Perëndisë në ne: Ai dërgoi në botë Birin e tij të vetëmlindur që ne të jetojmë nëpërmjet tij.
10. Këtu qëndron dashuria: nuk e deshëm ne Perëndinë, por na deshi ai dhe dërgoi Birin e tij si flijim për të shlyer mëkatet tona.
11. Fort të dashur, meqenëse Perëndia na deshi në këtë mënyrë, atëherë edhe ne duhet ta duam njëri-tjetrin.
12. Askush nuk e ka parë ndonjëherë Perëndinë. Po ta duam njëri-tjetrin, Perëndia qëndron në ne dhe dashuria e tij është e përsosur në ne.
13. Ja si e dimë se ne qëndrojmë në të dhe ai qëndron në ne: ai na ka dhënë nga Shpirti i tij.
14. Ne kemi parë dhe dëshmojmë se Ati e dërgoi Birin e tij si shpëtimtarin e botës.
15. Nëse dikush rrëfen se Jezui është Biri i Perëndisë, Perëndia qëndron në të dhe ai në Perëndinë.
16. Ne e kemi njohur dhe i kemi besuar dashurisë që Perëndia ka për ne.Perëndia është dashuri. Ai që qëndron në dashuri, qëndron në Perëndinë dhe Perëndia qëndron në të.
17. Dashuria është e përsosur në ne kur nuk kemi frikë për ditën e gjykimit, sepse në këtë botë ne jetojmë sikurse ai.
18. Në dashuri nuk ka frikë, madje, dashuria e përsosur e dëbon frikën. Frika ka të bëjë me ndëshkimin dhe ai që ka frikë, nuk është i përsosur në dashuri.