1. Fort të dashur, mos i besoni çdo shpirti, por vërini në provë shpirtrat për të parë nëse janë nga Perëndia ose jo, sepse në botë kanë dalë shumë profetë të rremë.
2. Shpirtin e Perëndisë do ta njihni nga kjo gjë: çdo shpirt që rrëfen se Jezu Krishti ka ardhur me trup njerëzor, është nga Perëndia.
3. Çdo shpirt që nuk e rrëfen Jezuin, nuk është nga Perëndia. Ky është shpirti i antikrishtit, për të cilin keni dëgjuar se po vjen dhe, madje, tashmë ai është në botë.
4. Por ju, bijtë e mi, jeni nga Perëndia dhe i keni mundur ata, sepse Shpirti që është në ju është më i madh se ai që është në botë.
5. Ata janë nga bota, prandaj flasin me gjuhën e botës dhe bota i dëgjon.
6. Ndërsa ne jemi nga Perëndia. Ai që njeh Perëndinë, na dëgjon. Ai që nuk është nga Perëndia, nuk na dëgjon. Nga kjo gjë do ta dallojmë Shpirtin e së vërtetës nga shpirti i mashtrimit.
7. Fort të dashur, le ta duam njëri-tjetrin, sepse dashuria është nga Perëndia. Kush ka dashuri, ka lindur nga Perëndia dhe e njeh Perëndinë.
8. Ai që nuk ka dashuri, nuk e ka njohur Perëndinë, sepse Perëndia është dashuri.
9. Ja si është shfaqur dashuria e Perëndisë në ne: Ai dërgoi në botë Birin e tij të vetëmlindur që ne të jetojmë nëpërmjet tij.
10. Këtu qëndron dashuria: nuk e deshëm ne Perëndinë, por na deshi ai dhe dërgoi Birin e tij si flijim për të shlyer mëkatet tona.
11. Fort të dashur, meqenëse Perëndia na deshi në këtë mënyrë, atëherë edhe ne duhet ta duam njëri-tjetrin.