Zbulesa 9:5-19 Bibla Shqip (ALBB)

5. Dhe atyre iu dha fuqia të mos i vrasin ata, por t'i mundojnë pesë muaj; dhe mundimi i tyre si mundimi i akrepit, kur pickon.

6. Dhe në ato ditë njerëzit do të kërkojnë vdekjen, por nuk do ta gjejnë atë, edhe do të dëshirojnë të vdesin, por vdekja do të largohet prej tyre.

7. Dhe pamja e karkalecave u përngjante kuajve të gatitur për luftë; dhe mbi kokat e tyre kishin si kurora prej ari dhe fytyrat e tyre ishin si fytyra njerëzish.

8. Dhe kishin flokë si flokë grash; dhe dhëmbët e tyre ishin si dhëmbë luanësh.

9. Dhe kishin parzmore si parzmore hekuri, dhe ushtima e krahëve të tyre ishte si ushtima e shumë qerreve dhe kuajve që rendin në luftim.

10. Dhe kishin bishta që u ngjanin akrepave dhe me thumb në bishtat e tyre: në të cilat qëndronte fuqia të dëmtonin njerëzit për pesë muaj.

11. Dhe për mbret përmbi ta kishin engjëllin e humnerës, emri i tij në hebraisht është Abadon dhe në greqisht emrin e ka Apolion.

12. Mjerimi i parë kaloi; ja, po vijnë edhe dy mjerime paskëtaj.

13. Dhe i gjashti engjëll i ra borisë, dhe dëgjova një zë nga të katër brirët e altarit të artë që është përpara Perëndisë,

14. që i thoshte engjëllit të gjashtë që kishte borinë: ''Zgjidh të katër engjëjt që janë të lidhur në Lumin e madh, Eufratin''.

15. Atëherë të katër engjëjt, që ishin përgatitur për atë orë, ditë, muaj dhe vit, u zgjidhën që të vrasin të tretën pjesë të njerëzve.

16. Dhe numri i ushtarëve të kalorësisë ishte dyqind milionë: dhe unë e dëgjova numrin e tyre.

17. Dhe kështu unë pashë në vegim kuajt dhe ata që i kalëronin; ata kishin parzmore ngjyrë zjarri, hiacinti dhe squfuri; dhe kokat e kuajve ishin si koka luanësh dhe nga gojët e tyre dilte zjarr, tym dhe squfur.

18. Nga këto tri plagë u vra e treta e njerëzve, nga zjarri e nga tymi e nga squfuri, që dilnin nga gojët e tyre.

19. Sepse pushteti i tyre në fakt ishte në gojën e tyre dhe në bishtat e tyre; sepse bishtat e tyre ishin të ngjashëm me gjarpërinj, që kanë koka dhe me anë të tyre dëmtonin.

Zbulesa 9