10. Edhe rashë përpara këmbëve të tij për ta adhuruar, por ai më tha: ''Ruaju se e bën, unë jam bashkëshërbëtori yt si dhe i vëllezërve të tu që kanë dëshminë e Jezusit. Perëndinë adhuroje! Sepse dëshmia e Jezusit është frymë e profecisë''.
11. Dhe pashë qiellin e hapur, dhe ja, një kalë i bardhë, dhe ai që e kalëronte quhet Besniku dhe i Vërteti; dhe ai gjykon dhe lufton me drejtësi.
12. Dhe sytë e tij ishin si flakë zjarri dhe mbi kryet e tij ishin shumë kurora; edhe kishte një emër të shkruar, që askush nuk e di përveç atij;
13. Dhe ishte i veshur me një rrobë të ngjyer në gjak; dhe emri i tij quhet: "Fjala e Perëndisë".
14. Dhe ushtritë që janë në qiell e ndiqnin mbi kuaj të bardhë, të veshur me rroba liri të hollë, të bardhë dhe të pastër.
15. Dhe nga goja e tij dilte një shpatë e mprehtë për të goditur me të kombet; dhe ai do të qeverisë me skeptër prej hekuri dhe ai vetë do të shkelë vozën e verës së mërisë dhe të zemërimit të Perëndisë së plotfuqishëm.
16. Dhe mbi rrobën e vet dhe mbi kofshën ishte shkruar një emër: MBRETI I MBRETËRVE dhe ZOTI I ZOTËRVE.
17. Dhe pashë një engjëll që qëndronte në këmbë në diell; dhe bërtiti me zë të madh duke u thënë gjithë shpendëve që fluturojnë në mes të qiellit: ''Ejani, mblidhuni në gostinë e madhe të Perëndisë,
18. që të hani mish mbretërish, dhe mish kapitenësh, dhe mish njerëzish të fuqishëm, dhe mish kuajsh dhe kalorësish, dhe mishin e të gjithë njerëzve, të të lirëve dhe të skllevërve, dhe të të vegjëlve dhe të të mëdhenjve''.
19. Dhe pashë bishën, dhe mbretërit e dheut, dhe ushtritë e tyre të mbledhura që të bënin luftë kundër atij që kalëronte kalin dhe kundër ushtrisë së tij.