Zbulesa 14:1-14 Bibla Shqip (ALBB)

1. Pastaj pashë Qengjin që rrinte në këmbë në mal të Sionit, dhe bashkë me të ishin njëqind e dyzet e katër mijë njerëz, që e kishin të shkruar mbi ballin e tyre emrin e tij dhe emrin e Atit të tij.

2. Dhe dëgjova pastaj një zë nga qielli si ushtima e shumë ujërave dhe si gjëmimi i një bubullime të madhe; dhe zëri që dëgjova ishte si ai i kitaristëve që u bien qesteve të tyre.

3. Ata këndonin një këngë të re përpara fronit, përpara katër qenieve të gjalla dhe përpara pleqve; dhe asnjë nuk mund ta mësonte kantikun përveç të njëqind e dyzet e katër mijëve, që ishin shpenguar nga toka.

4. Këta janë ata që nuk janë ndotur me femra; janë në fakt të virgjër. Këta janë ata që ndjekin Qengjin, kudo që të shkojë ai; këta u shpenguan ndër njerëzit, që të jenë të parat fruta për Perëndinë dhe Qengjin.

5. Edhe në gojë të tyre nuk u gjet gënjeshtër, sepse janë të paqortueshëm përpara fronit të Perëndisë.

6. Pastaj pashë një engjëll tjetër që fluturonte në mes të qiellit dhe që kishte ungjillin e përjetshëm, që t'ua predikojë banorëve të dheut dhe çdo kombi, dhe fisi, dhe gjuhe, dhe populli,

7. dhe thoshte me zë të madh: ''Druani Perëndinë dhe i jepni lavdi, sepse ora e gjyqit të tij erdhi; adhuroni atë që bëri qiellin, dheun, detin dhe burimet e ujërave''.

8. Pastaj një tjetër engjëll shkoi pas tyre, duke thënë: ''Ra, ra Babilona, qyteti i madh që u ka dhënë të pinë të gjitha kombeve verën e zemërimit të kurvërimit të saj''.

9. Një engjëll i tretë shkoi pas tyre duke thënë me zë të madh: ''Nëse ndokush adhuron bishën dhe figurën e saj dhe merr damkën mbi ballin e vet ose mbi dorën e vet,

10. do të pijë edhe ai nga vera e zemërimit të Perëndisë, që është derdhur e papërzier në kupën e zemërimit të tij dhe do të mundohet me zjarr e squfur përpara engjëjve të shenjtë dhe përpara Qengjit.

11. Dhe tymi i mundimit të tyre ngjitet në shekuj të shekujve, dhe nuk do të kenë prehje ditë e natë ata që adhurojnë bishën dhe figurën e saj dhe kushdo që merr damkën e emrit të saj''.

12. Këtu është qëndrueshmëria e shenjtorëve; këtu janë ata që zbatojnë urdhërimet e Perëndisë dhe besimin e Jezusit.

13. Pastaj dëgjova nga qielli një zë që më thoshte: ''Shkruaj: Lum të vdekurit që këtej e tutje vdesin në Zotin; po, thotë Fryma, që të prehen nga mundimet e tyre; dhe veprat e tyre t'i ndjekin''.

14. Pastaj pashë një re të bardhë, dhe ja, mbi re po rrinte i ulur një i ngjashëm me një Bir njeriu, i cili kishte mbi krye një kurorë të artë dhe në dorë një drapër të mprehtë.

Zbulesa 14