Zbulesa 11:1-16 Bibla Shqip (ALBB)

1. Dhe m'u dha një kallam që i ngjante një shufre. Dhe engjëlli duke qëndruar në këmbë tha: ''Çohu dhe mat tempullin e Perëndisë, altarin dhe ata që adhurojnë atje,

2. dhe oborrin që është jashtë tempullit lëre dhe mos e mat, sepse u është dhënë johebrenjve; dhe ata do ta shkelin qytetin e shenjtë për dyzet e dy muaj.

3. Dhe unë do t'u jap të dy dëshmitarëve të mi për të profetizuar, dhe ata do të profetizojnë një mijë e dyqind e gjashtëdhjetë ditë, të veshur me thasë.

4. Këta janë të dy drurët e ullirit dhe të dy shandanët që rrinë përpara Perëndisë së dheut.

5. Dhe, nëse ndokush dëshiron t'u bëjë keq atyre, nga goja e tyre del zjarr dhe i gllabëron armiqtë e tyre; dhe kushdo që dëshiron t'u bëjë keq atyre, në këtë mënyrë duhet vrarë.

6. Ata kanë pushtet të mbyllin qiellin, që të mos bjerë shi në ditët e profecisë së tyre; ata kanë edhe pushtet mbi ujërat t'i kthejnë në gjak dhe për të goditur dheun me çdo plagë, sa herë të duan.

7. Dhe kur ta kryejnë dëshminë e tyre, bisha që ngjitet nga humnera do të bëjë luftë kundër tyre, edhe do t'i mundë ata, dhe do t'i vrasë.

8. Dhe kufomat e tyre do të dergjen në sheshin e qytetit të madh, i cili frymërisht quhet Sodomë dhe Egjipt, ku është kryqëzuar edhe Zoti ynë.

9. Dhe njerëz nga popuj, dhe fise, dhe gjuhë, dhe kombe do të shohin kufomat e tyre për tri ditë e gjysmë, dhe nuk do të lënë që kufomat e tyre të shtihen në varr.

10. Dhe banorët e dheut do të ngazëllojnë për ata dhe do të bëjnë festë; dhe do t'i dërgojnë njëri-tjetrit dhurata, sepse këta dy profetë i munduan ata që banojnë mbi dhe''.

11. Por mbas tri ditë e gjysmë, fryma e jetës që buron nga Perëndia hyri në ta; edhe qëndruan në këmbët e tyre, dhe një tmerr i madh ra mbi ata që i shikonin.

12. Edhe dëgjuan një zë të madh nga qielli duke u thënë atyre: ''Ngjituni këtu lart''. Dhe u ngjitën në qiell në një re; dhe armiqtë e tyre i panë.

13. Dhe në atë orë ra një tërmet i madh, dhe e dhjeta pjesë e qytetit u rrëzua, dhe në tërmet u vranë shtatë mijë njerëz; dhe të tjerët u tmerruan dhe i dhanë lavdi Perëndisë së qiellit.

14. Mjerimi i dytë kaloi, por ja, mjerimi i tretë do vijë së shpejti.

15. Dhe engjëlli i shtatë i ra borisë dhe u bënë zëra të mëdhenj në qiell që thoshin: ''Mbretëritë e botës u bënë mbretëri të Zotit tonë dhe të Krishtit të tij, dhe ai do të mbretërojë në shekuj të shekujve''.

16. Atëherë të njëzet e katër pleqtë që rrinin përpara Perëndisë mbi fronet e tyre, ranë përmbys mbi fytyrat e veta dhe adhuruan Perëndinë,

Zbulesa 11