Zanafilla 47:20-28 Bibla Shqip (ALBB)

20. Kështu Jozefi bleu për Faraonin tërë tokat e Egjiptit, sepse egjiptasit shitën secili arën e vet, me që ishin goditur rëndë nga zija e bukës. Kështu vendi u bë pronë e Faraonit.

21. Sa për popullin, e zhvendosi nëpër qytete, në të katër anët e Egjiptit;

22. vetëm tokat e priftërinjve nuk i bleu, sepse priftërinjtë merrnin furnizime nga Faraoni dhe rronin nga furnizimet që u jepte Faraoni; për këtë arsye ata nuk i shitën tokat e tyre.

23. Por Jozefi i tha popullit: "Ja, sot ju bleva ju dhe tokat tuaja për Faraonin; ja ku e keni farën; mbillni tokën;

24. në kohën e korrjes, të pestën pjesë do t'ia jepni Faraonit dhe katër pjesë do të jenë tuajat për të siguruar farën e arave, ushqimin tuaj dhe të personave të shtëpisë suaj dhe për ushqimin e fëmijëve tuaj".

25. Dhe ata thanë: "Ti na shpëtove jetën! Paçim hir në sytë e zotërisë tonë, dhe ne do të jemi skllevërit e Faraonit".

26. Jozefi e bëri ligj këtë në vendin e Egjiptit, i cili vazhdon edhe sot e kësaj dite dhe sipas të cilit e pesta pjesë e korrjes duhet t'i jepet Faraonit. Vetëm tokat e priftërinjve nuk u bënë pronë e Faraonit.

27. Kështu Izraeli banoi në vendin e Egjiptit, në vendin e Goshenit; aty ata patën prona, qenë frytdhënës dhe u shumuan fort.

28. Jakobi jetoi në vendin e Egjiptit shtatëmbëdhjetë vjet dhe kohëzgjatja e jetës së Jakobit qe njëqind e dyzet e shtatë vjet.

Zanafilla 47