2. dhe kur mbaruan së ngrëni grurin që kishin sjellë nga Egjipti, i ati u tha atyre: "Kthehuni për të na blerë pak ushqime".
3. Por Juda iu përgjigj duke thënë: "Ai njeri na ka paralajmëruar haptas duke thënë: "Nuk keni për ta parë fytyrën time, në qoftë se vëllai juaj nuk do të jetë me ju".
4. Në qoftë se ti e nis vëllanë tonë me ne, ne do të zbresim dhe do të të blejmë ushqime;
5. por në rast se nuk e nis, ne nuk kemi për të zbritur, sepse ai njeri na tha: "Nuk keni për ta parë fytyrën time, në rast se vëllai juaj nuk do të jetë me ju"".
6. Atëherë Izraeli tha: "Pse më dhatë këtë dhembje duke i thënë atij njeriu që kishit edhe një vëlla?".
7. Ata iu përgjigjën: "Ai njeri na pyeti me shumë kujdes për ne dhe farefisin tonë, duke thënë: "Gjallë është ende ati juaj? Keni ndonjë vëlla tjetër?". Dhe ne u përgjigjëm në bazë të këtyre pyetjeve të tij. Ku të na shkonte nga mendja që ai do të na thoshte: "Silleni këtu vëllanë tuaj"?".
8. Pastaj Juda i tha Izraelit, atit të tij: "Lëre fëmijën të vijë me mua, dhe do të çohemi dhe do të shkojmë në mënyrë që të rrojmë dhe jo të vdesim, si ne ashtu dhe ti e të vegjlit tanë.
9. Unë bëhem garant për të; do t'i kërkosh llogari dorës sime për atë. Në rast se nuk e rikthej dhe nuk e vë para teje, do të jem fajtor para teje përgjithnjë.
10. Po të mos ishim vonuar, në këtë orë do të ishim kthyer për të dytën herë".
11. Atëherë Izraeli, ati i tyre, u tha atyre: "Po të jetë ashtu, veproni në këtë mënyrë: merrni në trastat tuaja disa nga prodhimet më të mira të vendit dhe i çoni atij njeriu një dhuratë: pak balsam,
12. Merrni me vete dyfishin e parave dhe kthejani paratë që ju vunë në grykën e trastave tuaja, ndofta ka qenë një gabim.
13. Merrni edhe vëllanë tuaj, dhe çohuni dhe kthehuni tek ai njeri;
14. dhe Perëndia i plotfuqishëm t'ju bëjë të gjeni hir para atij njeriu, kështu që ai të lirojë vëllanë tjetër tuajin dhe Beniaminin. Sa për mua, po të jetë se duhet të mbetem pa bijtë e mi, ashtu qoftë!".