Zanafilla 43:19-28 Bibla Shqip (ALBB)

19. Pasi iu afruan kryeshërbëtorit të shtëpisë së Jozefit, folën me të te dera e shtëpisë dhe thanë:

20. "Zotëria im, ne zbritëm në të vërtetë herën e parë këtu për të blerë ushqime;

21. dhe ndodhi që, kur arritëm në vendin ku kaluam natën, hapëm trastat dhe, ja, paratë e secilit prej nesh ndodheshin në grykë të trastës së vet; paratë tona me peshën e tyre të saktë; tani i kemi risjellë me vete.

22. Dhe kemi sjellë me vete para të tjera për të blerë ushqime; ne nuk e dimë kush mund t'i ketë vënë paratë tona në trastat tona".

23. Por ai tha: "Qetësohuni, mos u trembni: Perëndia juaj dhe Perëndia e atit tuaj ka vënë një thesar në trastat tuaja. Unë i pata paratë tuaja". Pastaj u solli Simeonin.

24. Ai njeri i futi në shtëpinë e Jozefit, u dha ujë që të lanin këmbët dhe ushqim për gomarët e tyre.

25. Atëherë ata përgatitën dhuratën, duke pritur që Jozefi të vinte në mesditë, sepse kishin dëgjuar që do të rrinin për të ngrënë në atë vend.

26. Kur Jozefi arriti në shtëpi, ata i paraqitën dhuratën që kishin sjellë me vete në shtëpi, dhe u përkulën para tij deri në tokë.

27. Ai i pyeti si ishin dhe tha: "Ati juaj, për të cilin më keni folur, a është mirë? Është ende gjallë?".

28. Ata u përgjigjën: "Shërbëtori yt, ati ynë, është mirë; jeton ende". Dhe e nderuan duke u përkulur.

Zanafilla 43