9. Pastaj Jakobi tha: "O Perëndi i atit tim Abraham, Perëndi i atit tim Isak, o Zot, që më ke thënë: "Ktheu në vendin tënd dhe pranë fisit tënd dhe unë do të bëj të mirë",
10. unë nuk jam i denjë i të gjitha mirësive dhe i gjithë besnikërisë që ke treguar ndaj shërbyesit tënd, sepse unë e kalova këtë Jordan vetëm me shkopin tim dhe tani janë bërë dy grupe.
11. Çliromë, të lutem, nga duart e vëllait tim, nga duart e Esaut, sepse unë kam frikë nga ai dhe druaj që ai të vijë për të më sulmuar, pa kursyer as nënat as fëmijët.
12. Dhe ti the: "Pa tjetër, unë do të të bëj mirë dhe do t'i bëj pasardhësit e tu si rëra e detit, që nuk mund të llogaritet se është shumë e madhe"".
13. Kështu Jakobi e kaloi natën në atë vend, dhe nga ato që kishte nëpër duar ai zgjodhi një dhuratë për vëllanë e tij Esau:
14. dyqind dhi, njëzet cjep, dyqind dele dhe njëzet desh,
15. tridhjetë deve qumështore me të vegjlit e tyre, dyzet lopë dhe dhjetë dema, njëzet gomarica dhe dhjetë mëza.
16. Pastaj ua dorëzoi shërbyesve të tij, çdo kope për llogari të vet, dhe u tha shërbëtorëve të tij: "Kaloni para meje dhe lini një farë hapësire midis një kopeje dhe tjetrës".
17. Dhe i dha urdhër të parit: "Kur vëllai im Esau do të të takojë dhe do të të pyesë: "I kujt je ti dhe ku shkon? Të kujt janë këto kafshë para teje?",
18. ti do të përgjigjesh: "Janë të shërbëtorit tënd Jakobit; është një dhuratë e dërguar zotërisë tim Esau; dhe ja, ai vetë po vjen mbas nesh"".
19. Ai i dha të njëjtin urdhër të dytit, të tretit dhe gjithë atyre që ndiqnin kopetë, duke u thënë: "Në këtë mënyrë do t'i flisni Esaut kur do ta takoni;
20. dhe do t'i thoni: "Ja, shërbëtori yt Jakobi është duke ardhur vetë pas nesh"". Sepse thoshte: "Unë do ta qetësoj me dhuratën që më paraprin e pastaj do të shikoj fytyrën e tij; ndofta do të më presë mirë".
21. Kështu dhurata shkoi para tij, por ai e kaloi natën në fushim.
22. Por atë natë ai u ngrit, mori dy gratë e tij, dy shërbëtoret dhe të njëmbëdhjetë fëmijët e tij dhe e kaloi vaun e lumit Jabbok.
23. I mori me vete dhe bëri që të kalonin përruan të gjitha gjërat që zotëronte.