30. Por vëllezërit, kur e morën vesh, e çuan në Cezare dhe që andej e nisën për në Tars.
31. Kështu në mbarë Judenë, në Galile dhe në Samari kishat kishin paqe dhe ndërtoheshin. Dhe duke ecur në druajtjen e Zotit dhe në ngushëllimin e Frymës së Shenjtë, shumoheshin.
32. Por ndodhi që, ndërsa Pjetri po e përshkonte gjithë vendin, erdhi edhe te shenjtorët që banonin në Lida.
33. Aty ai gjeti një njeri me emër Enea, i cili tashmë prej tetë vjetësh dergjej në shtrat, sepse ishte i paralizuar.
34. Pjetri i tha: ''Enea, Jezusi, Krishti, të shëron; çohu dhe ndreqe shtratin''. Dhe ai u ngrit menjëherë.
35. Dhe të gjithë banorët e Lidës dhe të Saronit e panë dhe u kthyen te Zoti.