3. Dhe i shtinë në dorë dhe i futën në burg deri të nesërmen, sepse ishte ngrysur.
4. Por shumë nga ata që ua kishin dëgjuar fjalën besuan; dhe numri i burrave u bë rreth pesë mijë.
5. Të nesërmen krerët, pleqtë dhe skribët u mblodhën në Jeruzalem,
6. bashkë me kryepriftin Ana dhe me Kaiafën, Gjonin, Aleksandrin dhe të gjithë ata që i përkisnin farefisit të kryepriftërinjve.
7. Dhe, si i nxorën aty në mes, i pyetën: ''Me ç'pushtet ose në emër të kujt e keni bërë këtë?''.
8. Atëherë Pjetri, i mbushur me Frymën e Shenjtë, u tha atyre: ''Krerë të popullit dhe pleq të Izraelit!
9. Nëse ne sot gjykohemi për një mirësi që iu bë një njeriu të sëmurë, për të ditur si u shërua ai,
10. le ta njihni të gjithë ju dhe mbarë populli i Izraelit se kjo u bë në emër të Jezu Krishtit Nazareas, që ju e kryqëzuat dhe që Perëndia e ringjalli prej së vdekuri; me anë të tij ky njeri del para jush i shëruar plotësisht.