Veprat e Apostujve 4:10-20 Bibla Shqip (ALBB)

10. le ta njihni të gjithë ju dhe mbarë populli i Izraelit se kjo u bë në emër të Jezu Krishtit Nazareas, që ju e kryqëzuat dhe që Perëndia e ringjalli prej së vdekuri; me anë të tij ky njeri del para jush i shëruar plotësisht.

11. Ky është guri që ju, ndërtuesit, e hodhët poshtë dhe që u bë guri i qoshes.

12. Dhe në asnjë tjetër nuk ka shpëtim, sepse nuk ka asnjë emër tjetër nën qiell që u është dhënë njerëzve dhe me anë të të cilit duhet të shpëtohemi''.

13. Ata, kur e panë çiltërsinë e Pjetrit dhe të Gjonit dhe duke kuptuar se ishin njerëz të pamësuar dhe pa arsim, u mrekulluan dhe i njihnin se kishin qenë me Jezusin.

14. Duke parë pastaj në këmbë pranë tyre, njeriun që u shërua, nuk mund të thoshin asgjë kundër.

15. Dhe, mbasi i urdhëruan të dalin jashtë sinedrit, u konsultuan me njëri-tjetrin,

16. duke thënë: ''Ç't'u bëjmë këtyre njerëzve? Sepse u është njohur të gjithë banorëve të Jeruzalemit se është bërë një mrekulli e dukshme prej tyre, dhe ne nuk mund ta mohojmë;

17. por, që kjo të mos përhapet më shumë në popull, t'i shtrëngojmë me kërcënime të rrepta të mos i flasin më asnjeriu në këtë emër''.

18. Dhe, si i thirrën, u dhanë urdhër atyre të mos flasin fare dhe as të mësojnë në emër të Jezusit.

19. Por Pjetri dhe Gjoni, duke iu përgjigjur atyre, thanë: ''Gjykoni ju, nëse është e drejtë para Perëndisë t'ju bindemi më shumë juve sesa Perëndisë.

20. Sepse ne nuk mund të mos flasim për ato që kemi parë dhe dëgjuar''.

Veprat e Apostujve 4