14. Ata u paraqitën para krerëve të priftërinjve dhe para pleqve dhe thanë: ''Ne jemi lidhur me betim të mos vëmë gjë në gojë, derisa të vrasim Palin.
15. Ju, pra, me sinedrin, i bëni një kërkesë tribunit që t'jua sjellë nesër, gjoja se doni ta hetoni më thellë çështjen e tij; dhe ne, para se të afrohet, do të jemi gati ta vrasim''.
16. Por djali i motrës së Palit, si e mori vesh kurthin, rendi në fortesë dhe, mbasi hyri, i tregoi Palit.
17. Atëherë Pali thirri një nga centurionët pranë vetes dhe i tha: ''Çoje këtë djalë tek kryemijësi, sepse ka diçka për t'i thënë''.
18. Atëherë ai e mori dhe e çoi tek kryemijësi dhe tha: ''Pali, i burgosuri, më thirri dhe m'u lut të të sjell këtë djalë, sepse ka diçka për të të thënë''.
19. Atëherë kryemijësi e kapi për dore, e mori mënjanë dhe e pyeti: ''Çfarë ke për të më thënë?''.
20. Ai tha: ''Judenjtë janë marrë vesh që të të kërkojnë që nesër ta nxjerrësh Palin poshtë, në sinedër, se gjoja dashkan ta hetojnë më thellë çështjen e tij.
21. Prandaj ti mos ua vër veshin, sepse më shumë se dyzet burra nga ata kanë ngritur kurth kundër tij, sepse janë zotuar duke u lidhur me betim, të mos hanë e të mos pinë, derisa ta kenë vrarë; dhe tani janë gati dhe presin që ti t'ua lejosh atyre''.
22. Tribuni, pra, e la të shkojë djalin, duke e urdhëruar që të mos i tregojë kurrkujt se e kishte vënë në dijeni për këto gjëra.
23. Pastaj thirri dy centurionë dhe u tha: ''Bëni gati që nga ora tre e natës dyqind ushtarë, shtatëdhjetë kalorës dhe dyqind shtizëmbajtës, për të shkuar deri në Cezare''.
24. Dhe u tha të bëjnë gati kuajt që ta hipte Pali dhe ta çonin shëndoshë e mirë te qeveritari Feliks.
25. Ai shkroi një letër me këtë përmbajtje:
26. ''Klaud Lisia, qeveritarit shumë të shkëlqyeshëm Feliks, shëndet.
27. Ky njeri ishte kapur nga judenjtë që ishin gati ta vrisnin, kur ia mbërrita unë me ushtarët dhe e lirova, sepse mora vesh se ishte qytetar romak.
28. Dhe, duke dashur të di fajin për të cilin e akuzonin, e nxora para sinedrit të tyre.
29. Përfundova se e kishin akuzuar për çështje që lidheshin me ligjin e tyre dhe që ai nuk kishte asnjë faj që të meritonte vdekjen e as burgimin.
30. Dhe, kur më njoftuan për kurthin që judenjtë i ngritën këtij njeriu, ta nisa menjëherë, duke u dhënë urdhër paditësve të parashtrojnë para teje ankimet që kanë kundër tij. Qofsh me shëndet!''.