1. Kur erdhi dita e Rrëshajëve, ata ishin të gjithë bashkë, në një mendje të vetme, në të njëjtin vend.
2. Dhe befas nga qielli erdhi një ushtimë, si ajo e një ere që fryn furishëm, dhe e mbushi gjithë shtëpinë ku ata po rrinin.
3. Dhe atyre u dukën gjuhë, si prej zjarri, të cilat ndaheshin dhe zinin vend mbi secilin prej tyre.
4. Kështu të gjithë u mbushën me Frymën e Shenjtë dhe filluan të flasin në gjuhë të tjera, ashtu si Fryma e Shenjtë ua jepte të shpreheshin.
5. Por në Jeruzalem banonin disa judenj, njerëz të perëndishëm, nga të gjitha kombet nën qiell.
6. Kur u dëgjua ajo ushtimë, turma u mblodh dhe u hutua, sepse secili nga ata i dëgjonte të flisnin në gjuhën e vet.
7. Dhe të gjithë habiteshin dhe mrekulloheshin dhe i thoshin njëri-tjetrit: ''Ja, a nuk janë të gjithë galileas këta që flasin?
8. Si vallë secili nga ne i dëgjon të flasin në gjuhën e vet amtare?
9. Ne partët, medët, elamitët dhe banorët e Mesopotamisë, të Judesë dhe të Kapadokisë, të Pontit dhe të Azisë,
10. të Frigjisë e të Pamfilisë, të Egjiptit dhe të pjesëve të Libisë përballë Kirenës, dhe ne të ardhur nga Roma, judenj dhe proselitë,
11. kretas dhe arabë, i dëgjojmë të flasin për gjërat e mëdha të Perëndisë në gjuhët tona!''.