Veprat e Apostujve 14:14-23 Bibla Shqip (ALBB)

14. Por apostujt Barnaba dhe Pal, kur dëgjuan këtë, i grisën rrobat e tyre dhe u turrën në mes të turmës, duke thirrur e duke thënë:

15. ''O burra, pse bëni këto gjëra? Edhe ne jemi njerëz me të njëjtën natyrë si ju, dhe po ju shpallim lajmin e mirë, që ju nga këto gjëra të kota të ktheheni te Perëndia e gjallë që ka bërë qiellin, dheun, detin dhe të gjitha gjërat që janë në ta.

16. Në brezat që shkuan ai la që të gjitha kombet të ndjekin rrugët e tyre;

17. por nuk e la veten e vet pa dëshmi, duke bërë mirë, duke na dhënë shira prej qiellit dhe stinë të frytshme dhe duke i mbushur zemrat tona me ushqim dhe gëzim''.

18. Duke thënë këto gjëra, mundën t'i ndalin me vështirësi turmat që të mos u bëjnë flijim.

19. Por në atë kohë erdhën disa judenj nga Antiokia dhe nga Ikoni; ata, mbasi ia mbushën mendjen turmës, e gjuajtën me gurë Palin dhe, duke menduar se kishte vdekur, e tërhoqën zvarrë jashtë qytetit.

20. Por, kur dishepujt u mblodhën rreth tij, ai u ngrit dhe hyri në qytet; dhe të nesërmen u nis me Barnaban për në Derbë.

21. Dhe, mbasi ungjillëzuan atë qytet dhe bënë shumë dishepuj, u kthyen në Listra, në Ikon dhe në Antioki,

22. duke fuqizuar shpirtrat e dishepujve dhe duke i këshilluar që të ngulmojnë në besim, dhe duke thënë se me shumë pikëllime duhet të hyjmë në mbretërinë e Perëndisë.

23. Dhe mbasi caktuan për ta pleqtë në çdo kishë, u lutën dhe agjëruan, i lanë në dorën e Zotit, në të cilin kishin besuar.

Veprat e Apostujve 14