Veprat e Apostujve 13:35-51 Bibla Shqip (ALBB)

35. Për këtë ai thotë edhe në një psalm tjetër: "Ti nuk do të lejosh që i Shenjti yt të shohë kalbje".

36. Sepse Davidi, mbasi zbatoi këshillën e Perëndisë në brezin e tij, vdiq dhe u bashkua me etërit e vet dhe pa kalbje,

37. por ai, që e ka ringjallur Perëndia, nuk ka parë kalbje.

38. Le ta dini, pra, o vëllezër, se nëpërmjet tij ju është shpallur falja e mëkateve,

39. dhe se, me anë të tij, ai që beson është shfajësuar nga të gjitha gjërat, që nuk mund të shfajësohej me anë të ligjit të Moisiut.

40. Kini kujdes, pra, që të mos ju ndodhë ajo që është thënë në profetët:

41. "Shikoni, o përbuzës, mrekullohuni dhe do të treteni, sepse unë po kryej një vepër në ditët tuaja, një vepër, të cilën ju nuk do ta besonit, po t'jua tregonte dikush"''.

42. Dhe kur judenjtë dolën nga sinagoga, johebrenjtë u lutën që të shtunën e ardhshme t'u flisnin përsëri për këto gjëra.

43. Dhe, mbasi u shpërnda mbledhja, shumë nga judenjtë dhe nga proselitët e perëndishëm i ndiqnin Palin dhe Barnaban, të cilët, duke u folur atyre, i bindën të ngulmojnë në hir të Perëndisë.

44. Të shtunën tjetër gati gjithë qyteti u mblodh për të dëgjuar fjalën e Perëndisë.

45. Por judenjtë, duke parë turmën, u mbushën me smirë dhe u kundërviheshin thënieve të Palit, duke kundërshtuar dhe duke blasfemuar.

46. Atëherë Pali dhe Barnaba, duke folur lirisht, thanë: ''Ishte e nevojshme që fjala e Perëndisë t'ju shpallej ju më së pari; por, ngaqë ju e hidhni poshtë dhe nuk e çmoni veten të denjë për jetën e përjetshme, ja, ne po u drejtohemi johebrenjve.

47. Sepse kështu na ka urdhëruar Zoti: "Unë të vura si dritë të johebrenjve, që ti ta çosh shpëtimin deri në skajin e dheut"''.

48. Johebrenjtë, kur dëgjuan, u gëzuan dhe lëvdonin fjalën e Zotit; dhe të gjithë sa ishin të paracaktuar për jetën e pasosur besuan.

49. Dhe fjala e Zotit përhapej në mbarë atë vend.

50. Por judenjtë i nxitën disa gra të perëndishme të shtresës së lartë, si dhe parinë e qytetit, dhe ngjallën një përndjekje kundër Palit dhe Barnabas dhe i dëbuan jashtë kufijve të tyre.

51. Atëherë ata, mbasi shkundën pluhurin e këmbëve të tyre kundër tyre, shkuan në Ikon.

Veprat e Apostujve 13