Veprat e Apostujve 13:26-37 Bibla Shqip (ALBB)

26. Vëllezër, bij të pasardhësve të Abrahamit, dhe ata prej jush që druajnë Perëndinë, juve ju është dërguar fjala e këtij shpëtimi.

27. Sepse banorët e Jeruzalemit dhe krerët e tyre, duke mos e njohur këtë Jezus, duke e dënuar, kanë përmbushur fjalët e profetëve që lexohen çdo të shtunë.

28. Dhe, ndonëse nuk i gjetën asnjë faj që të meritonte vdekjen, i kërkuan Pilatit që ai të vritet.

29. Dhe mbasi u kryen të gjitha gjërat që janë shkruar për të, atë e zbritën nga druri dhe e vunë në varr.

30. Por Perëndia e ringjalli prej të vdekurve;

31. dhe ai u pa për shumë ditë nga ata që ishin ngjitur me të nga Galileja në Jeruzalem, të cilët tani janë dëshmitarë të tij para popullit.

32. Dhe ne po ju shpallim lajmin e mirë të premtimit që u qe bërë etërve,

33. duke ju thënë se Perëndia e ka përmbushur për ne, bij të tyre, duke ringjallur Jezusin, ashtu si dhe është shkruar në psalmin e dytë: "Ti je Biri im, sot më linde".

34. Dhe mbasi e ka ringjallur prej të vdekurve për të mos e kthyer në kalbje, ai ka thënë kështu: "Unë do t'ju jap premtimet e sigurta të bëra Davidit".

35. Për këtë ai thotë edhe në një psalm tjetër: "Ti nuk do të lejosh që i Shenjti yt të shohë kalbje".

36. Sepse Davidi, mbasi zbatoi këshillën e Perëndisë në brezin e tij, vdiq dhe u bashkua me etërit e vet dhe pa kalbje,

37. por ai, që e ka ringjallur Perëndia, nuk ka parë kalbje.

Veprat e Apostujve 13