15. Mbas leximit të ligjit dhe të profetëve, krerët e sinagogës dërguan atyre për t'u thënë: ''Vëllezër, në qoftë se keni ndonjë fjalë këshilluese për popullin, ia thoni''.
16. Atëherë Pali u ngrit dhe, mbasi bëri shenjë me dorë, tha: ''Izraelitë dhe ju që druani Perëndinë, dëgjoni!
17. Perëndia e këtij populli të Izraelit i zgjodhi etërit tanë, dhe e bëri të madh popullin gjatë qëndrimit në vendin e Egjiptit; pastaj, me krahë të fuqishëm, e nxori që andej.
18. Dhe për afro dyzet vjet i duroi në shkretëtirë.
19. Pastaj shkatërroi shtatë kombe në vendin e Kanaanit dhe ua shpërndau atyre në trashëgimi vendin e tyre.
20. Dhe pastaj, për afro katërqind e pesëdhjetë vjet, u dha Gjyqtarë deri te profeti Samuel.
21. Më pas ata kërkuan një mbret; dhe Perëndia u dha atyre Saulin, birin e Kisit, një burrë nga fisi i Beniaminit, për dyzet vjet.
22. Pastaj Perëndia e hoqi dhe u ngjalli atyre si mbret Davidin, për të cilin dha dëshmi duke thënë: "Kam gjetur Davidin, birin e Jeseut, njeri sipas zemrës sime, i cili do të zbatojë të gjitha vullnetet e mia".
23. Prej farës së këtij Perëndia, sipas premtimit të vet, i ka ngjallur Izraelit Shpëtimtarin Jezus.
24. Para ardhjes së tij, Gjoni predikoi një pagëzim pendimi për gjithë popullin e Izraelit.
25. Dhe, kur Gjoni po e përfundonte misionin e tij, tha: "Cili pandehni se jam unë? Unë nuk jam Krishti; por ja, pas meje vjen një, të cilit unë nuk jam i denjë t'i zgjidh sandalet e këmbëve".
26. Vëllezër, bij të pasardhësve të Abrahamit, dhe ata prej jush që druajnë Perëndinë, juve ju është dërguar fjala e këtij shpëtimi.
27. Sepse banorët e Jeruzalemit dhe krerët e tyre, duke mos e njohur këtë Jezus, duke e dënuar, kanë përmbushur fjalët e profetëve që lexohen çdo të shtunë.
28. Dhe, ndonëse nuk i gjetën asnjë faj që të meritonte vdekjen, i kërkuan Pilatit që ai të vritet.
29. Dhe mbasi u kryen të gjitha gjërat që janë shkruar për të, atë e zbritën nga druri dhe e vunë në varr.