Veprat e Apostujve 13:1-13 Bibla Shqip (ALBB)

1. Por në kishën e Antiokisë ishin profetë dhe mësues: Barnaba, Simeoni, i quajtur Niger, Luci nga Kirenea, Manaeni, që ishte rritur bashkë me Herodin tetrark, dhe Sauli.

2. Dhe, ndërsa po kryenin shërbesën e Zotit dhe po agjëronin, Fryma e Shenjtë tha: ''M'i ndani veç Barnaban dhe Saulin për veprën për të cilën i kam thirrur''.

3. Atëherë, pasi agjëruan dhe u lutën, vunë duart mbi ta dhe i nisën.

4. Ata, pra, të dërguar nga Fryma e Shenjtë, zbritën në Seleuki dhe që andej lundruan për në Qipro.

5. Kur arritën në Salaminë, shpallën fjalën e Perëndisë në sinagogat e judenjve; dhe ata kishin me vete edhe Gjonin si ndihmës.

6. Pastaj, mbasi e përshkuan ishullin deri në Pafo, gjetën aty një magjistar, një profet të rremë jude, me emër Bar-Jezus,

7. i cili ishte me prokonsullin Sergj Pal, njeri i zgjuar. Ky thirri pranë vetes Barnaban dhe Saulin dhe kërkoi të dëgjonte fjalën e Perëndisë,

8. por Elimasi, magjistari (ky në fakt është kuptimi i emrit të tij) u kundërshtoi atyre, duke kërkuar ta largojë prokonsullin nga besimi.

9. Atëherë Sauli, i quajtur edhe Pal, i mbushur me Frymën e Shenjtë, i nguli sytë mbi të dhe tha:

10. ''O njeri plot me çdo mashtrim dhe çdo farë ligësie, bir i djallit, armik i çdo drejtësie, a nuk do të heqësh dorë nga shtrembërimi i rrugëve të drejta të Zotit?

11. Tani, pra, ja, dora e Zotit është mbi ty, dhe do të verbohesh dhe nuk do ta shohësh më diellin për një farë kohe''. Menjëherë mbi të ra mjegull dhe terr: dhe ai shkonte rreth e qark duke kërkuar ndonjë që ta mbante për dore.

12. Atëherë prokonsulli, kur pa çfarë kishte ndodhur, besoi, i mrekulluar nga doktrina e Zotit.

13. Dhe Pali dhe shokët e vet hipën në anije nga Pafoja dhe arritën nëpër det në Pergë të Pamfilisë; por Gjoni u nda prej tyre dhe u kthye në Jeruzalem.

Veprat e Apostujve 13