Ruthi 4:2-11 Bibla Shqip (ALBB)

2. Boazi mori atëherë dhjetë burra nga pleqtë e qytetit dhe u tha atyre: "Uluni këtu". Ata u ulën.

3. Pastaj Boazi i tha atij që kishte të drejtën e shpengimit: "Naomi, që u kthye nga vendi i Moabit, ka shitur pjesën e tokës që i përkiste vëllait tonë Elimelek.

4. Mendova të të informoj dhe të të them: "Blije në prani të banorëve të vendit dhe të pleqve të popullit tim. Në rast se do ta shpengosh, shpengoje; por në rast se nuk ke ndër mend ta shpengosh, ma thuaj që ta di edhe unë; sepse asnjeri veç teje nuk gëzon të drejtën e shpengimit, dhe pas teje vij unë"". Ai u përgjigj: "Do të kërkoj të drejtën time".

5. Atëherë Boazi tha: "Ditën që do ta blesh arën nga dora e Naomit, ti do ta blesh edhe nga Ruthi, moabitja, bashkëshortja e të ndjerit, për ta ringjallur emrin e të ndjerit në trashëgiminë e tij".

6. Ai që gëzonte të drejtën e shpengimit u përgjigj: "Unë nuk mund ta shpengoj për vete, sepse do të shkatërroj trashëgiminë time; shpengo ti atë që duhet të shpengoja unë, sepse unë nuk mund ta shpengoj".

7. Ky ishte zakoni në kohërat e kaluara në Izrael lidhur me të drejtën e shpengimit dhe të ndryshimit të pronësisë: personi hiqte sandalen dhe ja jepte tjetrit; kjo ishte mënyra e dëshmisë në Izrael.

8. Kështu ai që gëzonte të drejtën e shpengimit i tha Boazit: "Blije ti vetë", dhe hoqi sandalen.

9. Atëherë Boazi u tha pleqve dhe tërë popullit: "Ju sot jeni dëshmitarë që unë bleva sot në duart e Naomit të gjitha ato që ishin pronë e Elimelekut, të Kilionit dhe të Mahlonit.

10. Gjithashtu bleva për grua Ruthin, moabiten, bashkëshorten e Mahlonit, për ta ringjallur emrin e të ndjerit në trashëgiminë e tij, me qëllim që emri i të ndjerit të mos shuhet midis vëllezërve të tij dhe në portën e qytetit të tij. Ju sot jeni dëshmitarë të këtij fakti.

11. Atëherë tërë populli që ndodhej te porta dhe pleqtë u përgjigjën: "Ne jemi dëshmitarë të kësaj ngjarjeje. Zoti e bëftë gruan që hyn në shtëpinë tënde si Rakelën dhe si Lean, dy gratë që ngritën shtëpinë e Izraelit. Paç pushtet në Efrathah dhe u bëfsh i famshëm në Betlem.

Ruthi 4