11. Nuk ka asnjeri që të kuptojë, nuk ka asnjeri që të kërkojë Perëndinë.
12. Të gjithë kanë dalë nga udha e tij, që të gjithë janë bërë të padobishëm, nuk ka asnjë që të bëjë të mirën, as edhe një.
13. Gryka e tyre është një varr i hapur, me gjuhët e tyre kanë thurur mashtrime, ka helm gjarpërinjsh nën buzët e tyre;
14. goja e tyre është plot mallkim dhe hidhësi;
15. këmbët e tyre janë të shpejta për të derdhur gjak;
16. në udhët e tyre ka rrënim dhe gjëmë,
17. dhe nuk e kanë njohur udhën e paqes;
18. nuk ka frikë Perëndie para syve të tyre''.
19. Por ne e dimë se gjithçka që thotë ligji, e thotë për ata që janë nën ligj, me qëllim që çdo gojë të heshtë dhe gjithë bota t'i jetë nënshtruar gjykimit të Perëndisë,
20. sepse asnjë mish nuk do të shfajësohet para tij për veprat e ligjit; me anë të ligjit në fakt arrihet njohja e mëkatit.
21. Por tani, pavarësisht nga ligji, është manifestuar drejtësia e Perëndisë, për të cilën dëshmojnë ligji dhe profetët,
22. madje drejtësia e Perëndisë nëpërmjet besimit në Jezu Krishtin për të gjithë e mbi të gjithë ata që besojnë, sepse nuk ka dallim;
23. sepse të gjithë mëkatuan dhe u privuan nga lavdia e Perëndisë,
24. por janë shfajësuar falas me anë të hirit të tij, nëpërmjet shpengimit që është në Krishtin Jezus.
25. Atë ka paracaktuar Perëndia për të bërë shlyerjen nëpërmjet besimit në gjakun e tij, për të treguar kështu drejtësinë e tij për faljen e mëkateve, që janë kryer më parë gjatë kohës së durimit të Perëndisë,
26. për të treguar drejtësinë e tij në kohën e tanishme, me qëllim që ai të jetë i drejtë dhe shfajësues i atij që ka besimin e Jezusit.
27. Ku është, pra, mburrja? Është përjashtuar. Nga cili ligj? Ai i veprave? Jo, por nga ligji i besimit.
28. Ne, pra, konkludojmë se njeriu është i shfajësuar nëpërmjet besimit pa veprat e ligjit.
29. A është vallë Perëndia vetëm Perëndia i judenjve? A nuk është edhe i johebrenjve? Sigurisht, është edhe Perëndia i johebrenjve.