1. Cila është, pra, përparësia e judeut, ose cila është dobia e rrethprerjes?
2. E madhe në çdo mënyrë; para së gjithash sepse orakujt e Perëndisë iu besuan atyre.
3. Ç'të thuash atëherë? Në qoftë se disa nuk besuan, mosbesimi i tyre do ta anulojë, vallë, besnikërinë e Perëndisë?
4. Kurrë mos qoftë; përkundrazi, qoftë Perëndia i vërtetë dhe çdo njeri gënjeshtar, siç është shkruar: ''Që ti të shfajësohesh në fjalët e tua dhe të ngadhënjesh kur të gjykohesh''.
5. Po në qoftë se padrejtësia jonë e vë në pah drejtësinë e Perëndisë, ç'do të themi? Perëndia qenka i padrejtë kur shfren zemërimin e tij? (Unë flas si njeri).
6. Kurrë mos qoftë! Sepse atëherë, si do ta gjykonte Zoti botën?
7. Prandaj në qoftë se me anë të gënjeshtrës sime e vërteta e Perëndisë e lartëson lavdinë e tij, përse unë gjykohem akoma si mëkatar?
8. E përse të mos themi si disa që, duke shpifur, pohojnë se ne themi: ''Të bëjmë të keqen që të vijë e mira''? Dënimi i këtyre është i drejtë.
9. E çfarë pra? A kemi ne ndonjë epërsi? Aspak! E kemi treguar në fakt që më përpara se si judenjtë ashtu edhe grekët janë të gjithë nën mëkat,
10. siç është shkruar: ''Nuk ka asnjeri të drejtë, as edhe një.
11. Nuk ka asnjeri që të kuptojë, nuk ka asnjeri që të kërkojë Perëndinë.
12. Të gjithë kanë dalë nga udha e tij, që të gjithë janë bërë të padobishëm, nuk ka asnjë që të bëjë të mirën, as edhe një.
13. Gryka e tyre është një varr i hapur, me gjuhët e tyre kanë thurur mashtrime, ka helm gjarpërinjsh nën buzët e tyre;
14. goja e tyre është plot mallkim dhe hidhësi;
15. këmbët e tyre janë të shpejta për të derdhur gjak;
16. në udhët e tyre ka rrënim dhe gjëmë,
17. dhe nuk e kanë njohur udhën e paqes;
18. nuk ka frikë Perëndie para syve të tyre''.