Romakëve 15:4-21 Bibla Shqip (ALBB)

4. Sepse të gjitha gjërat që u shkruan në të kaluarën u shkruan për mësimin tonë, që me anë të këmbënguljes dhe të ngushëllimit të Shkrimeve, të kemi shpresë.

5. Dhe Perëndia i durimit dhe i ngushëllimit ju dhëntë juve të keni po ato mendime njëri me tjetrin, sipas Jezu Krishtit,

6. që me një mendje të vetme dhe një gojë të vetme ta përlëvdoni Perëndinë, Atin e Perëndisë tonë Jezu Krisht.

7. Prandaj pranoni njëri-tjetrin, sikurse edhe Krishti na pranoi për lavdinë e Perëndisë.

8. Tani unë po ju them se Jezu Krishti u bë shërbëtor i të rrethprerëve për të vërtetën e Perëndisë, për të vërtetuar premtimet e dhëna etërve,

9. dhe i pranoi johebrenjtë për mëshirë të vet, që ta lëvdojnë Perëndinë sikurse është shkruar: ''Për këtë do të të përlëvdoj ndër kombe, dhe do t'i këndoj lavdërime emrit tënd!''.

10. Dhe përsëri ai thotë: ''Gëzohuni, o njerëz, me popullin e tij''.

11. Dhe përsëri: ''Lavdëroni Zotin, të gjithë njerëzit; dhe le ta lëvdojnë të gjithë popujt''.

12. Dhe përsëri Isaia thotë: ''Do të mbijë një filiz nga rrënja e Jeseut dhe ai që ngrihet për të sunduar njerëzit; kombet do të shpresojnë në të!''.

13. Dhe Perëndia i shpresës le t'ju mbushë me çfarëdo gëzimi dhe paqe me anë të besimit, që të keni mbushulli në shpresë, me anë të fuqisë së Frymës së Shenjtë!

14. Dhe, sa për ju, o vëllezër, më është mbushur mendja për ju, se edhe ju jeni plot mirësi, plot me çdo njohuri, të zotë të këshilloni njëri-tjetrin.

15. Por unë ju shkrova në një farë shkalle më me guxim që t'ju kujtoj për hirin që m'u dha prej Perëndisë,

16. që të jem shërbëtor i Jezu Krishtit pranë johebrenjve, duke punuar në shërbesën e shenjtëruar të ungjillit të Perëndisë, që oferta e johebrenjve të jetë e pëlqyer, dhe e shenjtëruar nga Fryma e Shenjtë.

17. Kam, pra, me se të mburrem në Jezu Krishtin për punët që kanë të bëjnë me Perëndinë.

18. Sepse nuk do të guxoja të flas për ndonjë nga ato gjëra të cilat Krishti nuk i bëri nëpërmjet meje, për t'i sjell në bindje johebrenjtë me fjalë dhe me vepër,

19. me fuqi shenjash dhe çudirash, me fuqi të Frymës së Perëndisë; kështu, prej Jeruzalemit e përqark dhe gjer në Iliri, kam kryer shërbimin e ungjillit të Krishtit,

20. duke u përpjekur të ungjillëzoj atje ku nuk ishte i njohur emri i Krishtit, që të mos ndërtoj mbi themelin e tjetrit.

21. Por, sikurse është shkruar: ''Ata, ndër të cilët nuk u qe shpallur, do të shohin, dhe ata që nuk kishin dëgjuar për të, do të kuptojnë''.

Romakëve 15