2. Perëndia nuk e hodhi poshtë popullin e vet, të cilin e njohu që përpara. A nuk e dini ju ç'thotë Shkrimi për Elian? Si i drejtohet ai Perëndisë kundër Izraelit, duke thënë:
3. ''O Zot, profetët e tu i vranë dhe altarët e tu i prishën, dhe unë mbeta i vetëm, dhe ata kërkojnë jetën time''.
4. Por, çfarë i tha zëri hyjnor? ''Kam lënë për veten time shtatë mijë burra, që nuk kanë rënë në gjunjë përpara Baalit''.
5. Kështu, pra, edhe në kohën e tanishme ka mbetur një mbetje pas zgjedhjes së hirit.
6. Dhe, po të jetë prej hirit, nuk është më prej veprash, përndryshe hiri nuk do të ishte më hir, përndryshe vepra nuk do të ishte më vepër.
7. E çfarë, atëherë? Izraeli nuk e mori atë që kërkonte, kurse të zgjedhurit e morën, dhe të tjerët u verbuan,
8. siç është shkruar: ''Perëndia u dha atyre frymë hutimi, sy që të mos shohin dhe veshë që të mos dëgjojnë deri në ditën e sotme''.
9. Dhe Davidi thotë: ''Tryeza e tyre iu bëftë lak, një kurth, një pengesë dhe një shpagim.
10. Sytë e tyre u errësofshin që të mos shohin, dhe kurrizin e tyre kërruse përgjithnjë''.
11. Unë them, pra: ''Mos u penguan, që të rrëzohen? Aspak; por me anë të rrëzimit të tyre u erdhi shpëtimi johebrenjve, që t'i shtjerë ata në xhelozi.