Psalmet 78:43-53 Bibla Shqip (ALBB)

43. kur ai kishte bërë mrekullitë e tij në Egjipt dhe në fushën e Tsoanit;

44. i kishte shndërruar lumenjtë dhe rrjedhat e ujit të egjiptasve në gjak, me qëllim që të mos pinin dot.

45. Kishte dërguar kundër tyre mizëri mizash që t'i hanin dhe bretkosa që t'i shkatërronin.

46. Ua kishte dhënë të korrat e tyre krimbave dhe frytin e mundit të tyre karkalecave.

47. I kishte shkatërruar vreshtat e tyre me breshër dhe fiqtë e tyre të Egjiptit me ngrica.

48. Kishte braktisur bagëtinë e tyre në mëshirë të breshrit dhe kopetë e tyre në mëshirë të rrufeve.

49. Kishte lëshuar mbi ta zjarrin e zemërimit të tij, indinjatën, inatin dhe fatkeqësinë, një turmë lajmëtarësh të fatkeqësisë.

50. I kishte hapur udhën zemërimit të tij dhe nuk i kishte kursyer nga vdekja, por ia kishte braktisur jetën e tyre murtajës.

51. I kishte goditur në Egjipt gjithë të parëlindurit dhe prodhimet e para në çadrat e Kamit.

52. Por e kishte bërë popullin e tij të ikte si bagëtia dhe e kishte çuar nëpër shkretëtirë sikur të ishte një kope.

53. I kishte udhëhequr me siguri dhe ata nuk patën frikë, por deti i kishte përpirë armiqtë e tyre.

Psalmet 78