Psalmet 73:10-24 Bibla Shqip (ALBB)

10. Prandaj njerëzit e tyre kthehen nga ajo anë dhe pinë me të madhe ujërat e tyre,

11. dhe thonë: "Si është e mundur që Perëndia të dijë çdo gjë dhe të ketë njohuri te Shumë i Larti?".

12. Ja, këta janë të pabesë; megjithatë janë gjithnjë të qetë dhe i shtojnë pasuritë e tyre.

13. Më kot, pra, pastrova zemrën time dhe i lava duart në pafajësinë time.

14. Sepse jam goditur tërë ditën dhe jam ndëshkuar çdo mëngjes.

15. Sikur të kisha thënë: "Do të flas edhe unë kështu", ja, do të kisha mohuar brezin e bijve të tu.

16. Atëherë kërkova ta kuptoj këtë gjë, por ajo m'u duk shumë e vështirë.

17. Derisa hyra në shenjtëroren e Perëndisë dhe mora parasysh fundin e tyre.

18. Me siguri, ti i vë në vende të rrëshqitshme dhe kështu i bën që të bien në shkatërrim.

19. Si u shkatërruan në një çast! Ata vdiqën të konsumuar nga tmerri!

20. Ashtu si në një ëndërr, kur zgjohesh, kështu edhe ti, o Zot, kur të zgjohesh, do të përbuzësh pamjen e tyre të kotë.

21. Kur zemra ime acarohej dhe e ndieja veten sikur më shponin nga brenda,

22. unë isha pa mend dhe pa kuptim; para teje isha si një kafshë.

23. Por megjithatë unë jam gjithnjë me ty; ti më ke kapur nga dora e djathtë.

24. Ti do të më udhëheqësh me këshillën tënde dhe do të më çosh pastaj në lavdi.

Psalmet 73