5. Ejani dhe admironi atë që Perëndia ka bërë; ai është i tmerrshëm në veprat tij për bijtë e njerëzve.
6. Ai e ndryshoi detin në tokë të thatë; populli i tij e kaloi lumin me këmbë të thata; le të gëzohemi, pra, bashkë me të.
7. Me fuqinë e tij ai mbretëron në përjetësi; sytë e tij këqyrin kombet. Mos lejoni që rebelët të ngrenë krye. (Sela)
8. Ju o popuj, bekoni Perëndinë tonë; dhe shpallni me zë të lartë lëvdimin e tij.
9. Ai na mban gjallë dhe nuk lejon që këmbët tona të pengohen.
10. Sepse ti na ke vënë në provë, o Perëndi, na ke pastruar ashtu si pastrohet argjendi.
11. Na ke bërë të biem në rrjetë, ke vënë një barrë të rëndë mbi kurrizet tona.
12. Ke bërë që njerëzit të ecin me kalë mbi kokën tonë; kemi kaluar nëpër zjarr dhe nëpër ujë, por ti na ke nxjerrë jashtë në një vend të freskët.
13. Unë do të hyj në shtëpinë tënde me holokauste; do të plotësoj zotimet e mia,
14. që buzët e mia kanë formuluar dhe që goja ime ka shqiptuar kur kaloja fatkeqësi.
15. Do të të ofroj holokauste kafshësh të majme, me erën e këndshme të deshve; do të flijoj qe dhe cjep. (Sela)
16. Ejani dhe dëgjoni, ju të gjithë që i trembeni Perëndisë, dhe unë do t'ju tregoj atë që ai bëri për shpirtin tim.
17. I thirra atij me gojën time dhe e përlëvdova me gjuhën time.