Psalmet 40:5-17 Bibla Shqip (ALBB)

5. O Zot, Perëndia im, të shumta janë mrekullitë që ke bërë, dhe askush nuk mund të numërojë gjërat që ke menduar për ne. Po të duhej t'i shpallja dhe t'i tregoja, do të ishin tepër për t'i radhitur.

6. Ti nuk kënaqesh as me flijime as me oferta; më ke shpuar veshët. Ti nuk ke kërkuar as holokauste as flijime për mëkatin.

7. Atëherë unë thashë: "Ja, po vij. Në rrotullin e librit shkruhet për mua.

8. Perëndia im, unë gëzohem kur zbatoj vullnetin tënd dhe ligji yt është në zemrën time".

9. E shpalla drejtësinë tënde në kuvendin e madh; ja, unë nuk i mbaj buzët të mbyllura, o Zot, ti e di këtë.

10. Nuk e kam fshehur drejtësinë tënde në zemrën time; kam shpallur besnikërinë tënde dhe shpëtimin tënd; nuk e kam fshehur mirësinë tënde as të vërtetën tënde para kuvendit të madh.

11. Mos më moho, o Zot, mëshirën zemërbutë; mirësia jote dhe e vërteta jote më mbrojtshin gjithnjë.

12. Sepse të këqija të panumërta më rrethojnë; paudhësitë e mia më kanë zënë dhe nuk mund të shikoj; janë më të shumta se flokët e kokës sime, dhe zemra po më ligështohet.

13. Prano, o Zot, të më çlirosh. O Zot, nxito të më ndihmosh.

14. U turpërofshin dhe u pështjellofshin ata që duan të shkatërrojnë jetën time. Rënçin poshtë të mbuluar nga turpi ata që gëzohen me fatkeqësitë e mia.

15. U trembshin për turp të tyre ata që më thonë: "Ah, ah...!".

16. U gëzofshin dhe ngazëllofshin te ti të gjithë ata që të kërkojnë, ata që duan shpëtimin tënd thënçin: "Lëvduar qoftë Zoti".

17. Sa për mua, unë jam i varfër dhe nevojtar, por Zoti kujdeset për mua. Ti je mbështetja ime dhe çlirimtari im; Perëndia im, mos u vono.

Psalmet 40