Psalmet 39:2-10 Bibla Shqip (ALBB)

2. Kam qëndruar i heshtur dhe i qetë, i jam përmbajtur pikërisht së mirës, dhe dhembja ime është ashpërsuar.

3. Zemra më digjte përbrenda; ndërsa mendohesha, një zjarr u ndez; atëherë fola me gjuhën time:

4. "O Zot, bëmë të njohur fundin tim dhe cila është masa e ditëve të mia; vepro në mënyrë që unë të di sa i brishtë jam.

5. Ja, ti i ke pakësuar ditët e mia aq sa është e gjatë një pëllëmbë, dhe zgjatja e jetës sime është si asgjë para teje; po, çdo njeri në gjendjen e tij më të mirë nuk është veçse avull. (Sela)

6. Po, njeriu sillet rreth e qark si një hije; po më kot lodhen të gjithë dhe grumbullojnë pasuri pa ditur kush do t'i mbledhë!

7. Por tani, o Zot, çfarë pres? Shpresa ime është te ti.

8. Çliromë nga të gjitha fajet e mia; bëj që të mos jem objekt i talljes nga njeriu pa mend.

9. Do të qëndroj në heshtje, nuk kam për të hapur gojën, sepse ti je ai që vepron.

10. Largo nga unë fshikullin tënd; unë po marr fund nën goditjet e dorës sate.

Psalmet 39