Psalmet 33:1-12 Bibla Shqip (ALBB)

1. Ngazëlloni, o njerëz të drejtë, tek Zoti; lëvdimi u shkon për shtat njerëzve të drejtë.

2. Kremtojeni Zotin me qeste; këndojini atij me harpën me dhjetë tela.

3. Këndojini një kantik të ri, bjerini me mjeshtëri veglës dhe brohoritni.

4. Sepse fjala e Zotit është e drejtë dhe të gjithë veprat e tij janë bërë me saktësi.

5. Ai e do drejtësinë dhe barazinë; toka është e mbushur nga mirësitë e Zotit.

6. Qiejt u bënë me anë të fjalës së Zotit dhe tërë ushtria e tyre me anë të frymës së gojës së tij.

7. Ai mblodhi ujërat në një tog dhe vendosi thellësitë e tyre të mëdha si rezervuare.

8. Tërë toka le të ketë frikë nga Zoti dhe le të dridhen para tij tërë banorët e botës.

9. Sepse ai foli dhe gjëja u bë; ai urdhëroi dhe gjëja u shfaq.

10. Zoti e bën të dështojë planin e kombeve dhe asgjëson synimet e popujve.

11. Plani i Zotit mbetet përjetë dhe qëllimet e zemrës së tij për çdo brez.

12. Lum ai komb që ka Perëndinë Zotin; lum populli që ai ka zgjedhur për trashëgim të tij.

Psalmet 33