1. Te ti, o Zot, e lartoj shpirtin tim.
2. O Perëndia im, kam besim te ti; bëj që të mos mbetem i zhgënjyer dhe që armiqtë e mi të mos triumfojnë mbi mua.
3. Po, bëj që asnjë nga ata që kanë besim te ti të mos zhgënjehet; u turpërofshin ata që sillen pabesisht pa shkak.
4. O Zot, më trego rrugët e tua, më mëso shtigjet e tua.
5. Më udhëhiq në të vërtetën tënde dhe më mëso, sepse ti je Perëndia i shpëtimit tim; unë shpresoj shumë te ti gjatë gjithë ditës.
6. Kujto, o Zot, mëshirën tënde dhe mirësinë tënde, sepse janë të përhershme.
7. Mos i kujto mëkatet e rinisë sime, as shkeljet e mia; por në dashamirësinë tënde më kujto, o Zot, për hir të mirësisë sate.
8. Zoti është i mirë dhe i drejtë, prandaj ai do t'u mësojë rrugën mëkatarëve.
9. Ai do të udhëheqë njerëzit zemërbutë në drejtësi dhe do t'u mësojë të përulurve rrugën e tij.
10. Të gjitha rrugët e Zotit janë mirësi dhe vërtetësi për ata që respektojnë besëlidhjen e tij dhe porositë e tij.
11. Për hir të emrit tënd, o Zot, fale paudhësinë time, sepse ajo është e madhe.
12. Kush është njeriu që ka frikë nga Zoti? Ai do t'i tregojë rrugën që duhet të zgjedhë.
13. Ai do të jetojë në bollëk dhe pasardhësit e tij do të trashëgojnë tokën.