Psalmet 147:7-20 Bibla Shqip (ALBB)

7. Këndojini Zotit me falënderim, këndojini me qeste lavde Perëndisë tonë,

8. që mbulon qiellin me re, përgatit shiun për tokën dhe bën që të rritet bari në malet.

9. Ai i jep ushqime bagëtisë dhe zogjve të korbeve që thërresin.

10. Ai nuk kënaqet në forcën e kalit, dhe nuk gjen ndonjë gëzim në këmbët e njeriut.

11. Zoti kënaqet me ata që kanë frikë prej tij, me ata që shpresojnë në mirësinë e tij.

12. Lëvdo Zotin, o Jeruzalem, kremto Perëndinë tënd, o Sion.

13. Sepse ai ka përforcuar shufrat e portave të tua dhe ka bekuar bijtë e tu në mes teje.

14. Ai e ruan paqen brenda kufijve të tu dhe të ngop me grurin më të mirë.

15. Dërgon mbi tokë urdhrin e tij, fjala e tij merr dheun.

16. Dërgon borën si lesh dhe përhap brymën si hi.

17. Hedh breshrin e tij si me copa; kush mund t'i bëjë ballë të ftohtit të tij?

18. Dërgon fjalën e tij dhe i shkrin ato; bën që të fryjë era e tij, dhe ujërat rrjedhin.

19. Ai ia ka bërë të njohur Jakobit fjalën e tij, dhe Izraelit statutet e tij dhe dekretet e tij.

20. Ai nuk e ka bërë këtë me asnjë komb tjetër; dhe ato nuk i njohin dekretet e tij. Aleluja.

Psalmet 147