Psalmet 119:95-105 Bibla Shqip (ALBB)

95. Të pabesët më zënë pusi që unë të vdes, por unë do të mbështetem në parimet e tua.

96. Pashë caqet e çdo gjëje të përsosur, por urdhërimi yt nuk ka asnjë cak.

97. Oh, sa shumë e dua ligjin tënd! Ai është përsiatja ime gjithë ditën.

98. Urdhërimet e tua më bëjnë më të urtë se armiqtë e mi, sepse janë gjithnjë me mua.

99. Kuptoj më shumë se të gjithë mësuesit e mi, sepse urdhërimet e tua janë përsiatja ime.

100. Kam më tepër zgjuarsi se pleqtë, sepse respektoj urdhërimet e tua.

101. Kam përmbajtur hapat e mia nga çdo shteg i keq, për të respektuar fjalën tënde.

102. Nuk jam larguar nga dekretet e tua, sepse ti vetë më ke mësuar.

103. Sa të ëmbla janë fjalët e tua në gojën time! Janë më të ëmbla se mjalti në gojën time.

104. Me anë të urdhërimeve të tua unë përfitoj zgjuarsinë; prandaj urrej çdo shteg falsiteti.

105. Fjala jote është një llambë në këmbën time dhe një dritë në shtegun tim.

Psalmet 119