Psalmet 119:9-25 Bibla Shqip (ALBB)

9. Si mundet një i ri të bëjë rrugën e tij të pastër? Duke e ruajtur me fjalën tënde.

10. Të kam kërkuar me gjithë zemër; mos më lër të devijoj nga urdhërimet e tua.

11. E kam ruajtur fjalën tënde në zemrën time, që të mos mëkatoj kundër teje.

12. Ti je i bekuar, o Zot, më mëso statutet e tua.

13. Me buzët e mia kam numëruar të gjitha dekretet e gojës sate.

14. Gëzohem duke ndjekur porositë e tua, ashtu sikur të zotëroja tërë pasuritë.

15. Do të mendoj thellë mbi urdhërimet e tua dhe do të marrë në konsideratë shtigjet e tua.

16. Do të kënaqem me statutet e tua dhe nuk do ta harroj fjalën tënde.

17. Bëji të mirë shërbëtorit tënd, dhe unë do të jetoj dhe do të respektoj fjalën tënde.

18. Hapi sytë e mi dhe unë do të sodit mrekullitë e ligjit tënd.

19. Unë jam i huaji mbi dhe; mos m'i fshih urdhërimet e tua.

20. Shpirti im tretet nga dëshira e dekreteve të tua në çdo kohë.

21. Ti i qorton kryelartët, që janë të mallkuar, sepse largohen nga urdhërimet e tua.

22. Hiq prej meje turpin dhe përbuzjen, sepse unë i kam respektuar porositë e tua.

23. Edhe sikur princat të ulen dhe të flasin kundër teje, shërbëtori yt do të mendohet thellë mbi ligjet e tua.

24. Porositë e tua janë gëzimi im dhe këshilltarët e mi.

25. Unë bie përmbys në pluhur; më ringjall sipas fjalës sate.

Psalmet 119