Psalmet 119:85-96 Bibla Shqip (ALBB)

85. Mendjemëdhenjtë kanë hapur gropa për mua; ata nuk veprojnë sipas ligjit tënd.

86. Tërë urdhërimet e tua meritojnë besim; më përndjekin pa të drejtë; ndihmomë.

87. Më kanë eliminuar gati gati nga toka, por unë nuk i kam braktisur urdhërimet e tua.

88. Gjallëromë sipas mirësisë sate, dhe unë do të respektoj porositë e gojës sate.

89. Gjithnjë, o Zot, fjala jote është e qëndrueshme në qiejt.

90. Besnikëria jote vazhdon brez pas brezi; ti e ke vendosur tokën dhe ajo ekziston.

91. Qielli dhe toka ekzistojnë deri në ditën e sotme, sepse çdo gjë është në shërbimin tënd.

92. Në qoftë se ligji yt nuk do të kishte qenë kënaqësia ime, do të isha zhdukur në pikëllimin tim.

93. Nuk do t'i harroj kurrë urdhërimet e tua, sepse me anë të tyre ti më ke dhënë jetën.

94. Unë jam yti; shpëtomë, sepse kam kërkuar urdhërimet e tua.

95. Të pabesët më zënë pusi që unë të vdes, por unë do të mbështetem në parimet e tua.

96. Pashë caqet e çdo gjëje të përsosur, por urdhërimi yt nuk ka asnjë cak.

Psalmet 119