Psalmet 119:74-88 Bibla Shqip (ALBB)

74. Ata që kanë frikë prej teje do të më shohin dhe do të kënaqen, sepse pata shpresë në fjalën tënde.

75. Unë e di, o Zot, që dekretet e tua janë të drejta, dhe që ti më ke hidhëruar në besnikërinë tënde.

76. Mirësia jote qoftë përdëllimi im, sipas fjalës që i ke dhënë shërbëtorit tënd.

77. Ardhshin tek unë dhembshuritë e tua të mëdha dhe kështu paça mundësi të jetoj, sepse ligji yt është kënaqësia ime.

78. U ngatërrofshin mendjemëdhenjtë, sepse më trajtojnë në mënyrë të padrejtë dhe pa arsye; por unë mendohem shumë mbi urdhërimet e tua.

79. Le të drejtohen tek unë ata që kanë frikë nga ti dhe ata që njohin urdhrat e tua.

80. Le të jetë zemra ime e paqortueshme lidhur me statutet e tua, me qëllim që unë të mos ngatërrohem.

81. Shpirti im shkrihet nga dëshira e zjarrtë e shpëtimit tënd; unë kam shpresë në fjalën tënde.

82. Sytë e mi dobësohen duke pritur të shkojë në vend fjala jote, ndërsa them: "Kur do të më ngushëllosh?".

83. Ndonëse jam bërë si një calik i ekspozuar në tym, nuk i kam harruar statutet e tua.

84. Sa janë ditët e shërbëtorit tënd? Kur do t'u vish hakut atyre që më ndjekin?

85. Mendjemëdhenjtë kanë hapur gropa për mua; ata nuk veprojnë sipas ligjit tënd.

86. Tërë urdhërimet e tua meritojnë besim; më përndjekin pa të drejtë; ndihmomë.

87. Më kanë eliminuar gati gati nga toka, por unë nuk i kam braktisur urdhërimet e tua.

88. Gjallëromë sipas mirësisë sate, dhe unë do të respektoj porositë e gojës sate.

Psalmet 119