Psalmet 119:41-59 Bibla Shqip (ALBB)

41. Le të më arrijë shpirtmadhësia jote, o Zot, dhe shpëtimi yt sipas fjalës sate.

42. Kështu do të mund t'i përgjigjem atij që më fyen, sepse kam besim te fjala jote.

43. Mos hiq plotësisht nga goja ime fjalën e së vërtetës, sepse unë kam shpresë te dekretet e tua.

44. Kështu do të respektoj ligjin tënd vazhdimisht, përjetë.

45. Do të ec në liri, sepse kërkoj urdhërimet e tua.

46. Do të flas për porositë e tua para mbretërve dhe nuk do të turpërohem.

47. Do të kënaqem me urdhërimet e tua, sepse i dua.

48. Do të ngre duart e mia drejt urdhërimeve të tua, sepse i dua, dhe do të mendohem thellë mbi statutet e tua.

49. Mbaje mend fjalën që i ke dhënë shërbëtorit tënd, me të cilën me kë bërë të kem shpresa.

50. Ky është përdëllimi im në pikëllim, që fjala jote më ka dhënë jetë.

51. Kryelartët më mbulojnë me tallje, por unë nuk largohem nga ligji yt.

52. Mbaj mend dekretet e tua të lashta, o Zot, dhe kjo më ngushëllon.

53. Një indinjatë e madhe më pushton për shkak të të pabesëve që braktisin ligjin tënd.

54. Statutet e tua kanë qenë kantikët e mi në shtëpinë e shtegtimit tim.

55. O Zot, unë kujtoj emrin tënd natën dhe respektoj ligjin tënd.

56. Kjo ndodh sepse respektoj urdhërimet e tua.

57. Ti je pjesa ime, o Zot, kam premtuar të respektoj fjalët e tua.

58. Të jam lutur shumë, me gjithë zemër; ki mëshirë për mua sipas fjalës sate.

59. Kam shqyrtuar rrugët e mia dhe i kam kthyer hapat e mia ndaj urdhrave të tua.

Psalmet 119