Psalmet 119:26-36 Bibla Shqip (ALBB)

26. Të kam treguar rrugët e mia, dhe ti më je përgjigjur; më mëso statutet e tua.

27. Më bëj që të kuptoj rrugën e urdhërimeve të tua, dhe unë do të mendohem thellë mbi mrekullitë e tua.

28. Jeta ime tretet në dhembje; më jep forcë sipas fjalës sate.

29. Mbamë larg nga gënjeshtra dhe, në hirin tënd, bëmë të njohur ligjin tënd.

30. Kam zgjedhur rrugën e besnikërisë; i kam vënë dekretet e tua para vetes.

31. Jam i lidhur me porositë e tua; o Zot, mos lejo që unë të hutohem.

32. Do të veproj në rrugën e urdhërimeve të tua, sepse ti do të më zgjerosh zemrën.

33. Më mëso, o Zot, rrugën e statuteve të tu dhe unë do ta ndjek deri në fund.

34. Më jep mençuri dhe unë do ta ruaj ligjin tënd; po, do ta respektoj me gjithë zemër.

35. Më bëj të ec në rrugën e urdhërimeve të tua, sepse në to gjej kënaqësinë time.

36. Përkule zemrën time parimeve të tua dhe jo lakmisë.

Psalmet 119