Psalmet 119:144-157 Bibla Shqip (ALBB)

144. Porositë e tua janë të drejta përjetë; më jep mendje dhe unë do të jetoj.

145. Unë bërtas me gjithë zemër; përgjigjmu, o Zot, dhe unë do të respektoj statutet e tua.

146. Unë të kërkoj; shpëtomë, dhe do të respektoj porositë e tua.

147. Unë zgjohem para agimit dhe bërtas; unë kam shpresë te fjala jote.

148. Sytë e mi paraprijnë natën për të menduar thellë fjalën tënde.

149. Dëgjo zërin tim sipas mirësisë sate; o Zot, gjallëromë sipas dekretit tënd të drejtë.

150. Kam afër vetes ata që ndjekin të keqen, por ata janë larg ligjit tënd.

151. Ti je afër, o Zot, dhe të gjitha urdhërimet e tua janë të vërteta.

152. Prej shumë kohe kam mësuar urdhërimet e tua, të cilat i ke vendosur përjetë.

153. Merr parasysh pikëllimin tim dhe më çliro, sepse nuk e kam harruar ligjin tënd.

154. Mbro çështjen time dhe më shpengo; më gjallëro sipas fjalës sate.

155. Shpëtimi është larg nga të pabesët, sepse ata nuk kërkojnë statutet e tua.

156. Dhembshuritë e tua janë të mëdha, o Zot; më gjallëro sipas dekreteve të tua të drejta.

157. Përndjekësit e mi dhe armiqtë e mi janë të shumtë; por unë nuk largohem nga porositë e tua.

Psalmet 119