Psalmet 105:14-31 Bibla Shqip (ALBB)

14. Ai nuk lejoi që t'i shtypte njeri; përkundrazi ndëshkoi disa mbretër për hir të tyre,

15. dhe tha: "Mos prekni të vajosurit e mi dhe mos bëni asnjë të keqe profetëve të mi".

16. Pastaj solli zinë e bukës në vend dhe shkatërroi çdo burim ushqimesh.

17. Dërgoi para tyre një njeri, Jozefin, që u shit si skllav.

18. I shtrënguan këmbët me pranga dhe u rëndua me zinxhirë hekuri.

19. Fjala e Zotit e vuri në provë, derisa u plotësua ajo që kishte thënë.

20. Atëherë mbreti dërgoi ta zgjidhnin, sunduesi i popujve dërgoi ta çlironin,

21. dhe e bëri zot të shtëpisë së tij dhe qeveritar mbi të gjitha pasuritë e tij,

22. për t'i lidhur princat e tij me gjykimin e tij dhe për t'u mësuar pleqve të tij diturinë.

23. Edhe Izraeli erdhi në Egjipt dhe Jakobi qëndroi për ca kohë në vendin e Kamit.

24. Dhe Perëndia e shumëzoi shumë popullin e tij dhe e bëri më të fuqishëm se armiqtë e tij.

25. Pastaj ndryshoi zemrën e tyre, me qëllim që të urrenin popullin e tij dhe të kurdisnin mashtrime kundër shërbëtorëve të tij.

26. Atëherë ai dërgoi Moisiun, shërbëtorin e tij, dhe Aaronin që ai kishte zgjedhur.

27. Ata kryen midis tyre mrekullitë e urdhëruara prej tij dhe bënë çudira në tokën e Kamit.

28. Dërgoi terrin dhe e bëri vendin të binte në errësirë, dhe ata nuk kundërshtuan fjalën e tij.

29. I ndryshoi ujërat e tij në gjak dhe bëri që të ngordhnin peshqit e tij.

30. Vendi i tyre u mbush me bretkosa të cilat hynë deri në dhomat e mbretërve të tyre.

31. Me fjalën e tij erdhën një shumicë e madhe insektesh dhe mushkonjash në të gjithë territorin e tyre.

Psalmet 105