7. Me siguri shtypja e bën të pamend njeriun e urtë, dhe dhurata bën që të humbasë arsyen.
8. Më mirë fundi i një gjëje se fillimi i saj, dhe më mirë ai që ka frymë të durueshëm se ai që ka frymë krenar.
9. Mos u nxito në frymën tënd të zemërohesh, sepse zemërimi gjen strehë në gji të budallenjve.
10. Mos thuaj: "Si është e mundur që ditët e kaluara ishin më të mira nga këto?", sepse nuk është urtësi të bësh një pyetje të tillë.
11. Dituria është e mirë bashkë me një pasuri dhe u sjell përfitime atyre që shohin diellin.
12. Sepse dituria është një mbrojtje ashtu si është paraja; por epërsia e diturisë qëndron në këtë; dituria i bën të jetojnë ata që e zotërojnë.
13. Konsideroje veprën e Perëndisë: kush mund të drejtojë atë që ai ka bërë të shtrembër?
14. Në ditën e bollëkut ji i gëzuar, por në ditën e fatkeqësisë mendohu thellë. Perëndia ka bërë si njërën ashtu dhe tjetrën, me qëllim që njeriu të mos zbulojë asgjë nga ato që do të ndodhin pas tij.