Numrat 8:15-26 Bibla Shqip (ALBB)

15. Pas kësaj levitët do të hyjnë në çadrën e mbledhjes për të kryer shërbimin; kështu ti do t'i pastrosh dhe do t'i paraqitësh si një ofertë të tundur,

16. sepse më janë dhënë plotësisht nga gjiri i bijve të Izraelit; unë i mora për vete, në vend të të gjithë atyre që çelin barkun e nënës, në vend të të parëlindurve të të gjithë bijve të Izraelit.

17. Sepse të gjithë të parëlindurit e bijve të Izraelit, si të njerëzve ashtu dhe të kafshëve, më takojnë mua; i shenjtërova për vete ditën që godita tërë të parëlindurit në vendin e Egjiptit.

18. Mora levitët në vend të të gjithë të parëlindurve të bijve të Izraelit.

19. Dhe i dhurova Aaronit dhe bijve të tij levitët nga gjiri i bijve të Izraelit me qëllim që të kryejnë shërbimin e bijve të Izraelit në çadrën e mbledhjes dhe që të bëjnë shlyerjen për bijtë e Izraelit, që të mos ndodhë asnjë fatkeqësi midis bijve të Izraelit kur i afrohen shenjtërores".

20. Kështu vepruan Moisiu, Aaroni dhe tërë asambleja e bijve të Izraelit me levitët; bijtë e Izraelit u bënë levitëve të gjitha ato që Zoti i kishte urdhëruar Moisiut lidhur me ta.

21. Dhe levitët u pastruan dhe i lanë rrobat e tyre; pastaj Aaroni i paraqiti si një ofertë të tundur përpara Zotit dhe bëri shlyerjen për ta, për t'i pastruar.

22. Pas kësaj levitët hynë në çadrën e mbledhjes për të bërë shërbimin e tyre në prani të Aaronit dhe të bijve të tij. Ata u bënë levitëve atë që Zoti i kishte urdhëruar Moisiut lidhur me ta.

23. Pastaj Zoti i foli Moisiut duke i thënë:

24. "Kjo është ajo që u takon levitëve; nga mosha njëzet e pesë vjeç e lart leviti do të hyjë në çadrën e mbledhjes për të kryer shërbimet e rastit;

25. në moshën pesëdhjetë vjeç do ta ndërpresë këtë shërbim dhe nuk do të shërbejë më.

26. Do të mund të ndihmojë vëllezërit e tij në çadrën e mbledhjes, ndërsa këta kryejnë detyrat e tyre; por ai vetë nuk do të kryejë asnjë shërbim. Kështu do të veprosh me levitët lidhur me detyrat e tyre".

Numrat 8