Numrat 6:6-18 Bibla Shqip (ALBB)

6. Për gjithë kohën që i është shenjtëruar Zotit nuk do t'i afrohet ndonjë trupi të vdekur;

7. as sikur të ishte i ati apo e ëma, i vëllai ose e motra, ai nuk do të ndotet për ta kur vdesin, sepse mban mbi krye shenjën e shenjtërimit të tij Perëndisë.

8. Për gjithë kohën e shenjtërimit të tij, ai do të jetë i shenjtë për Zotin.

9. Në rast se dikush vdes papritmas afër tij dhe koka e tij e shenjtëruar mbetet e ndotur, ai do ta rruajë kokën ditën e pastrimit të tij; do ta rruajë ditën e shtatë;

10. ditën e tetë do t'i çojë dy turtuj ose dy pëllumba të rinj priftit, në hyrje të çadrës së mbledhjes.

11. Prifti do të ofrojë njërin prej tyre si flijim për mëkatin dhe tjetrin si holokaust dhe do të bëjë shlyerjen për të, sepse ka mëkatuar për shkak të trupit të vdekur; dhe po atë ditë do të shenjtërojë kokën e tij.

12. Do t'i shenjtërojë përsëri Zotit ditët e nazireatit të tij dhe do të çojë një qengj motak si fli shlyerjeje; por ditët e mëparshme nuk do të llogariten më, sepse nazireati i tij është ndotur.

13. Ky është ligji i nazireatit: kur ditët e shenjtërimit të tij do të plotësohen, atë njeri do ta sjellin në hyrjen e çadrës së mbledhjes;

14. dhe ai do t'ia paraqesë ofertën e tij Zotit: një qengj mashkull motak pa të meta për holokaustin, një qengj femër motak pa të meta për flijimin për mëkatin dhe një dash pa të meta për flijimin e falënderimit;

15. një shportë me bukë të ndorme të përgatitura me majë mielli, me kuleç të zëna me vaj, një revani pa maja të lyer me vaj, me ofertat e tyre ushqimore dhe libacionet e tyre.

16. Prifti do t'i paraqesë këto gjëra përpara Zotit dhe do të ofrojë flijimin e tij për mëkatin dhe holokaustin e tij;

17. do të ofrojë dashin si flijim falënderimi ndaj Zotit, bashkë me shportën e bukëve të ndorme; prifti do të ofrojë gjithashtu blatimin e tij ushqimor dhe libacionin e tij.

18. Nazireu do të rruajë kokën e tij të shenjtëruar në hyrje të çadrës së mbledhjes dhe do të marrë flokët e kokës së tij të shenjtëruar dhe do t'i vërë mbi zjarrin që është nën flijimin e falënderimit.

Numrat 6