Numrat 6:13-27 Bibla Shqip (ALBB)

13. Ky është ligji i nazireatit: kur ditët e shenjtërimit të tij do të plotësohen, atë njeri do ta sjellin në hyrjen e çadrës së mbledhjes;

14. dhe ai do t'ia paraqesë ofertën e tij Zotit: një qengj mashkull motak pa të meta për holokaustin, një qengj femër motak pa të meta për flijimin për mëkatin dhe një dash pa të meta për flijimin e falënderimit;

15. një shportë me bukë të ndorme të përgatitura me majë mielli, me kuleç të zëna me vaj, një revani pa maja të lyer me vaj, me ofertat e tyre ushqimore dhe libacionet e tyre.

16. Prifti do t'i paraqesë këto gjëra përpara Zotit dhe do të ofrojë flijimin e tij për mëkatin dhe holokaustin e tij;

17. do të ofrojë dashin si flijim falënderimi ndaj Zotit, bashkë me shportën e bukëve të ndorme; prifti do të ofrojë gjithashtu blatimin e tij ushqimor dhe libacionin e tij.

18. Nazireu do të rruajë kokën e tij të shenjtëruar në hyrje të çadrës së mbledhjes dhe do të marrë flokët e kokës së tij të shenjtëruar dhe do t'i vërë mbi zjarrin që është nën flijimin e falënderimit.

19. Prifti do të marrë shpatullën e pjekur të dashit, një kulaç pa maja nga shporta dhe një revani pa maja dhe do të vërë në dorë të nazireut, mbasi ky të ketë rruar kokën e tij të shenjtëruar.

20. Prifti do t'i tundë si oferta para Zotit; është një gjë e shenjtë që i përket priftit, bashkë me gjoksin e ofertës së tundur dhe me kofshën e ofertës së ngritur. Pas kësaj nazireu do të mund të pijë verë.

21. Ky është ligji për nazireun që i ka premtuar Zotit një ofertë për shenjtërimin e tij, veç atyre që mjetet e tij do t'i lejojnë të bëjë. Në bazë të kushtit të lidhur, ai duhet të sillet në pajtim me ligjin e shenjtërimit të tij".

22. Zoti i foli akoma Moisiut, duke i thënë:

23. "Folu Aaronit dhe bijve të tij, dhe u thuaj atyre: Ju do t'i bekoni kështu bijtë e Izraelit, duke u thënë:

24. "Zoti të të bekojë dhe të të ruajë!

25. Zoti të bëjë që të shkëlqejë fytyra e tij mbi trupin tënd dhe të tregohet i mbarë me ty!

26. Zoti të kthejë fytyrën e tij mbi ty dhe të të sjellë paqe!".

27. Kështu do ta vënë emrin tim mbi bijtë e Izraelit dhe unë do t'i bekoj".

Numrat 6