Numrat 5:6-20 Bibla Shqip (ALBB)

6. "Thuaju bijve të Izraelit: Kur një burrë apo një grua bën çfarëdo lloj fyerje kundër një njeriu, duke vepruar kështu kryen një mëkat kundër Zotit, dhe ky person bëhet fajtor;

7. ai do ta njohë fyerjen që ka bërë dhe do të shpërblejë plotësisht dëmin e bërë, duke i shtuar një të pestën dhe duke ia dhënë personit që ka fyer.

8. Por në rast se ky nuk ka ndonjë të afërm person të një gjaku të cilit mund t'i bëhet shpërblimi për fyerjen e kryer, shpërblimi do t'i shkojë Zotit për priftin, veç dashit fajshlyes, me të cilin do të bëhet shlyerja për të.

9. Çdo ofertë e ngritur e çfarëdo gjëje të shenjtëruar që bijtë e Izraelit i paraqesin priftit, do t'i përkasë këtij.

10. Sendet që dikush shenjtëron do të jenë të priftit; atë që dikush i jep priftit, do t'i përkasë këtij".

11. Zoti i foli akoma Moisiut, duke i thënë:

12. "Folu bijve të Izraelit dhe u thuaj atyre: Në qoftë se një grua i dredhon burrit të saj dhe kryen një pabesi kundrejt tij,

13. dhe një burrë ka marrëdhënie seksuale me të, por kjo gjë është bërë fshehurazi nga burri i saj; kur fëlliqësia e saj mbetet e fshehtë, sepse nuk ka asnjë dëshmitar kundër saj dhe nuk është kapur në flagrancë,

14. në qoftë se një ndjenjë zilie e zë dhe bëhet xheloz për gruan e tij që është fëlliqur; ose në qoftë se një ndjenjë zilie e zë dhe ai bëhet xheloz për gruan e tij edhe sikur ajo të mos jetë fëlliqur,

15. burri do ta çojë gruan e tij te prifti dhe do t'i japë atij një ofertë për atë: një të dhjetën e një efe miell elbi; nuk do t'i derdhë sipër vaj ulliri as do t'i vërë sipër temjan, sepse është një blatim ushqimor për xhelozi, një blatim përkujtimor, i caktuar për të kujtuar një faj.

16. Prifti do ta afrojë gruan dhe do ta mbajë më këmbë përpara Zotit.

17. Pastaj prifti do të marrë ujë të shenjtë nga një enë prej dheu; do të marrë gjithashtu ca pluhur që ndodhet mbi dyshemenë e tabernakullit dhe do ta hedhë në ujë.

18. pastaj prifti do ta mbajë në këmbë gruan para Zotit, do t'i zbulojë kokën dhe do të vërë në duart e saja blatimin përkujtimor, që është blatimi ushqimor për xhelozinë, ndërsa prifti do të mbajë në dorë ujin e hidhur që sjell mallkimin.

19. Pastaj prifti do ta vërë gruan të betohet dhe do t'i thotë: "Në qoftë se asnjë burrë s'ka rënë në shtrat me ty dhe nuk je larguar nga rruga e drejtë për t'u fëlliqur, ndërsa ishe e martuar me burrin tënd, je e përjashtuar nga çdo efekt i dëmshëm i këtij uji të hidhur që sjell mallkimin.

20. Por në se ti je shthurur, ndërsa ishe e martuar me burrin tënd, dhe je fëlliqur me një burrë që nuk është bashkëshorti yt ka pasur marrëdhënie seksuale me ty",

Numrat 5