Numrat 4:17-29 Bibla Shqip (ALBB)

17. Pastaj Zoti u foli Moisiut dhe Aaronit, duke u thënë:

18. "Kini kujdes që klani i familjeve të kehathitëve të mos shfaroset në mes të levitëve;

19. bëni, pra, këtë për ta, me qëllim që ata të jetojnë dhe të mos vdesin kur u afrohen gjërave shumë të shenjta: Aaroni dhe bijtë e tij do të hyjnë dhe do t'i caktojnë secilit shërbimin e tij dhe detyrën e tij.

20. Por ata nuk do të hyjnë për të parë në kohën kur gjërat e shenjta po mbulohen, që të mos vdesin".

21. Zoti i foli akoma Moisiut, duke i thënë:

22. "Numëro edhe bijtë e Gershonit, në bazë të shtëpive të etërve të tyre dhe të familjeve të tyre.

23. Do ta bësh regjistrimin nga mosha tridhjetë vjeç e lart, deri në moshën pesëdhjetë vjeç të të gjithë atyre që hyjnë për të bërë shërbimin, për të punuar në çadrën e mbledhjes.

24. Kjo është detyra e familjeve të gershonitëve, shërbimi që duhet të kryejnë dhe gjërat që duhet të sjellin:

25. do të bartin pëlhurat e tabernakullit dhe çadrën e mbledhjes, mbulesën e saj, mbulesën prej lëkure të baldosës që është sipër dhe perden në hyrje të çadrës së mbledhjes,

26. perdet e oborrit me perden për hyrjen në oborr, perdet që janë rreth tabernakullit dhe altarit, litarët e tyre dhe të gjitha veglat e caktuara për shërbimin e tyre; ç'të jetë e nevojshme të bëhet ata do ta bëjnë.

27. Tërë shërbimi i bijve të gershonitëve, të gjitha gjërat që duhet të bartin dhe të gjitha gjërat që duhet të kryejnë, do të bëhen me urdhër të Aaronit dhe të bijve të tij; ju do t'u ngarkoni atyre përgjegjësinë për tërë gjërat që duhet të bartin.

28. Ky është shërbimi i familjeve të gershonitëve në çadrën e mbledhjes; dhe detyrat e tyre do t'i kryejnë nën urdhrat e Ithamarit, birit të priftit Aaron.

29. Do të bësh regjistrimin e bijve të Merarit në bazë të familjeve të tyre dhe të shtëpive të etërve të tyre;

Numrat 4