Numrat 33:37-54 Bibla Shqip (ALBB)

37. Pastaj u nisën nga Kadeshi dhe fushuan në malin Hor, në kufi të vendit të Edomit.

38. Pastaj prifti Aaron u ngjit në malin Hor me urdhër të Zotit dhe vdiq aty në vitin e dyzetë prej kohës kur bijtë e Izraelit kishin dalë nga vendi i Egjiptit, ditën e parë të muajit të pestë.

39. Aaroni ishte njëqind e njëzet e tre vjeç kur vdiq në malin Hor.

40. Mbreti i Aradit, kanaaneu, që banonte në Negev, në vendin e Kanaanit, dëgjoi se arritën bijtë e Izraelit.

41. Kështu ata u nisën nga mali Hor dhe fushuan në Tsalmonah.

42. U nisën nga Tsalmonahu dhe fushuan në Punon.

43. U nisën nga Punoni dhe fushuan në Oboth.

44. U nisën nga Obothi dhe fushuan në Ije-Abarim, në kufi me Moabin.

45. U nisën nga Ije-Abarimi dhe fushuan në Dibon-Gad.

46. U nisën nga Dibon-Gadi dhe fushuan në Almon-Diblathaim.

47. U nisën nga Almon-Diblathaimi dhe fushuan në malet e Abarimit, përballë Nebit.

48. U nisën nga malet e Abarimit dhe fushuan në fushat e Moabit, pranë Jordanit, mbi bregun përballë Jerikos.

49. Fushuan pranë Jordanit, nga Beth-Jeshimoth deri në Abel-Shitim, në fushat e Moabit.

50. Pastaj Zoti i foli Moisiut, në fushat e Moabit, pranë Jordanit mbi bregun përballë Jerikos, dhe i tha:

51. "Folu bijve të Izraelit dhe u thuaj atyre: Kur të kaloni Jordanin, për të hyrë në vendin e Kanaanit,

52. do të dëboni të gjithë banorët e vendit, do të shkatërroni të gjitha figurat e tyre dhe të tëra statujat e tyre prej metali të shkrirë, do të rrënoni të gjitha vendet e larta të tyre.

53. Do ta shtini në dorë vendin dhe do të vendoseni në të, sepse jua kam dhënë në pronësi.

54. Do ta ndani me short vendin, sipas familjeve tuaja. Familjeve më të mëdha do t'u jepni një pjesë më të madhe, dhe më të voglave një pjesë më të vogël. Secili do të marrë atë që do t'i bjerë me short; ndarjet do të bëhen në bazë të fiseve të etërve tuaj.

Numrat 33