Numrat 31:4-16 Bibla Shqip (ALBB)

4. Do të dërgoni në luftë një mijë burra nga çdo fis, nga të gjitha fiset e Izraelit".

5. Kështu u rekrutuan ndër divizionet e Izraelit një mijë burra nga çdo fis, domethënë dymbëdhjetë mijë burra, të armatosur për luftë.

6. Pastaj Moisiu i nisi për luftë, njëmijë njerëz nga çdo fis, së bashku me Finehasin, birin e priftit Eleazar, që kishte në dorë veglat e shenjta dhe boritë e alarmit.

7. Dhe luftuan kundër Midianit, ashtu si e kishte urdhëruar Zoti Moisiun, dhe vranë tërë meshkujt.

8. Bashkë me viktimat që ata bënë, ata vranë edhe mbretërit e Midianit: Evin, Rekemin, Tsurin, Hurin dhe Reban, pesë mbretërit e Midianit; vranë gjithashtu me shpatë Balaamin, birin e Beorit.

9. Bijtë e Izraelit zunë robinja edhe të gjitha gratë e Midianit dhe fëmijët e tyre, rrëmbyen tërë bagëtinë e tyre, tërë kopetë e tyre dhe tërë pasuritë e tyre;

10. pastaj u vunë zjarrin të gjitha qyteteve ku ata banonin dhe të gjitha kalave të tyre,

11. dhe morën gjithë plaçkën e luftës dhe tërë prenë, njerëz dhe kafshë:

12. pastaj i çuan të burgosurit, prenë dhe plaçkën e luftës Moisiut, priftit Eleazar dhe asamblesë së bijve të Izraelit, që ishin vendosur në fushat e Moabit, pranë Jordanit, në bregun përballë Jerikos.

13. Moisiu, prifti Eleazar dhe të gjithë prijësit e asamblesë dolën për t'i takuar jashtë kampit.

14. Por Moisiu u zemërua me komandantët e ushtrisë, me krerët e mijësheve dhe të qindësheve, që po ktheheshin nga kjo fushatë lufte.

15. Moisiu u tha atyre: "Keni lënë gjallë të gjitha gratë?

16. Të nxitura nga Balaami, ato i shtynë bijtë e Izraelit të mëkatojnë kundër Zotit, në ngjarjen e Peorit, kur shpërtheu fatkeqësia në asamblenë e Zotit.

Numrat 31